Amendamentet kushtetuese, të cilat i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale për krime lufte, sipas mediave Kosovare është planifikuar të mbahet në seancën e Kuvendit, të datës 7 maj 2015.

Ndërkohë po gjatë muajit maj pritet të miratohet edhe Ligji që përcakton strukturën dhe funksionimin e kësaj Gjykate.
Sipas informacioneve mësohet se ndërkombëtarët po kërkojnë nga institucionet e Kosovës që ta përfundojnë çështjen e Gjykatës Speciale gjatë muajit maj, sidomos tashmë që në institucione janë kthyer edhe deputetët e Listës “Srpska”.

Megjithatë, sfidë për koalicionin qeverisë mbetet sigurimi i së paku 80 votave, i cili nevojiten për miratimin e këtyre amendamenteve. Kjo pasi janë mbi 40 deputetë, që pritet të votojë kundër për krijimin e Gjykatës. Janë pikërisht tre subjektet opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja dhe “Nisma”, që së bashku kanë 31 deputetë, tashmë janë deklaruar hapur kundër kësaj Gjykate. Po ashtu këtyre votave kundër do ti bashkohen edhe votat e tre deputetëve të komunitetit boshnjak, të cilët kanë thënë që do të votojnë kundër.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)