Ndërtimet zhdukin
studiot e ikonave të artit

Ndërtimet  zhdukin <br />studiot e ikonave të artit
TIRANE- Qamil Grezda (1917-1992) është një nga emrat më të njohur në traditën e arteve figurative. Bashkëkohës me Vangjush Mihon, Abdurrahim Buzën, Odise Paskalin, Andrea Manon, etj, vepra e tij gjendet në Fondin e Galerisë Kombëtare, ku janë koleksionuar rreth 35 vepra arti. Me gjithë vlerat e pamohueshme dhe rolin e tij në historinë e pikturës shqiptare, fati i injorimit të vlerave të tij dhe trashëgimisë së tij artistike nuk do të jetë dot ndryshe nga ai i Vangjush Mihos, të cilit i grabitën veprat së fundi në Galerinë e Korçës, as nga ai i Paskalit që shteti bënë ç'të dojë me skulpturat e tij pas vdekjes, e me radhë shumë të tjerë që i dimë tashmë. Pra, edhe piktorin Qamil Grezda po e ndjek fati i keq i shkatërrimit e diskriminimit të trashëgimisë kulturore. Këto ditë studioja e tij pranë Ambasadës Britanike në Tiranë është bërë pre e ndërtimeve pa leje. Një histori e gjatë ndërtimesh e rrënimesh të një objekti pa leje e ka çuar Ermir Grezdën, të birin e piktorit të njohur në dyert e bashkisë së Tiranës dhe të Ministrisë së Kulturës. Ngjarja është e përsëritur. Në vitin 2005, Ermir Grezda, skulptor, që e mban ende gjallë studion e ligjshme të Qamil Grezdës arriti që nëpërmjet Ministrisë dhe Drejtorisë së Planifikimit të Territorit me firmën e ministrit të asaj kohe, Bashkim Fino, dhe zëvendësministrit Artan Lame të realizonte prishjen e objektit pa leje dhe rimarrjen në pronësi të ambientit të studios. Por si u bë e mundur që objekti pa leje lulëzoi sërish në kohën që Bashkinë e Tiranës nis ta drejtojë Lulzim Basha. "Nga e morën guximin ndërtuesit e objektit të paligjshëm?!, pyet Grezda, ndërsa rrëfen për Shqiptarja.com gjithë Odisenë studios së të atit.

Zoti Grezda, cili është vendi i babait tuaj në artet figurative sipas vlerësimit zyrtar të shtetit?
-Im at është bashkëkohës me Vangjush Mion, Abdyrrahim Buzën, Odise Paskalin, Andrea Manon, etj. Është një nga ata që themeluan artet figurative shqiptare, student i akademisë italiane me me Ibrahim Kodrën, Simon Rrotën, etj. Im at ishte ndërkohë bashkëkohës dhe mik me Vangjush Mion dhe dilnin shpesh së bashku për të bërë piktura në peizazh. Kjo gjë më erdhi ndërmend kur Mion e grabitën. Ishte një ngjarje e rëndë për kulturën kombëtare, por dhe për koiçindencë në të njëjtën kohë me problemet që i shkaktuan studios së tim eti. Kur bëri bujë kjo ngjarje. pra kur ndodhi zhdukja e veprave të Mios, unë shkova në studion e babait tim dhe konstatova se përpara derës së saj ishte hedhur kati i dytë i një ndërtimi pa leje. Personi që në 2005-n e kishte bërë edhe njëherë këtë ndërtim dhe iu prish nga policia bashkiake e asaj periudhe si ndërtim pa leje, përsëri kishte mbaruar katin e parë dhe kishte hedhur edhe katin e dytë.

Më kujtohet që në atë kohë jeni përpjekur shumë për ta rifituar hapësirën e studios e babait tuaj...
Që në atë moment bëra denoncimin në policinë bashkiake të Tiranës, dorëzova dokumentin, hipotekën e të gjitha këto dhe një javë më pas bëra edhe shkresë edhe si sekretar i shoqatës së artistëve për të ngritur këtë problem me zotin Lulëzim Basha. Këtë herë bisedova, jo vetëm për studion e babait tim, por të gjithë piktorëve të traditës dhe një varg problemesh në lidhje me artistët. Nuk e di sesi e gjithë kjo zallahi që vijon prej 10-12 vjetësh nën kërcënimin e autorëve të ndërtimeve pa leje, gjen mbështetjen dhe guximin për të ringritur sërish një ndërtim të paligjshëm në dëm të studios së Qamil Grezdës.

-Na flisni pak për historinë e kësaj studioje?
-Kjo është studioja ku ka punuar gjithë jetën im at dhe ka bërë veprat e artit që gjenden edhe sot si trashëgimi kombëtare. Kjo studio ka ruajtur një pjesë të punimeve të tij derisa u koleksionuan në Galerinë Kombëtare. Madje ekzistenca e saj ishte edhe një fat që tim ati nuk i humbën dhe nuk iu shkatërruan veprat si të Janaq Paços për shembull ose ndonjë autori tjetër që nuk pati trashëgimtarë. Por me këto ligje për veprat muzeore dhe kombëtare të artit, duket se edhe trashëgimtarët nuk kanë mundësi t'i mbrojnë artistët e traditës. Në këtë ambient që ishte pjesë e përbashkët e gjithë studios, autori i ndërtimit pa leje e kishte rrafshuar fare dhe kishte ngritur para derës se saj dhe pas murit të ambasadës britanike një ndërtesë. Atëherë u prish se unë denoncova në policinë ndërtimore dhe të rregullimit të territorit dhe ish ministri Bashkim Fino në atë kohë dha urdhër që kjo të shikohej nga ana juridike si veprim i kundërligjshëm dhe vërtetë që konstatuan që ishte dhunuar prona e studios Grezda.

Në 2005-n me ç'mënyrë të ndihmuan. Si ta rikthyen studion?
-Prishja e ndërtimit pa leje u bë në bazë të ligjit, sepse unë iu drejtova tërë institucioneve të shtetit, dhe kur konstatuan se ishte një dhunë mbi studion e piktorit të traditës Qamil Grezda dhe të të birit skulptor, atëherë vendimi u ekzekutua dhe kjo u prish. Për këtë pas vendimit të ministrit Fino, shkatërrimi i këtij ndërtimi është miratuar nga bashkia dhe më ka mbështetur edhe zëvendësministri i asaj kohe Artan Lame. Pas 2005-s, si u prish ndërtimi pa leje m'u dha vendi para studios. Por para dy tre vejtsh unë pata probleme se më vdiq djali dhe nuk mund të merresha me këtë veprim. Qe një plagë shumë e rëndë për mua. Kohët e fundit pashë se e kishin ngritur një kat. Nuk e kuptoja ku e gjenin kurajën. Ndërtimi po vazhdon duke i zënë frymës studios. Në takimin me kryetarin e Bashkisë zotin Lulzim Basha, ngrita problemin që nuk është dhunuar vetëm studioja Grezda, por është dhnuar dhe zhdukur studioja e Odise Paskalit, studioja e Andrea Manos, e Llazar Nikollës, e Dhimitër Çanit, e Shaban Hadërit dhe shumë e shumë artistëve të mëdhenj të këtij kombi që kanë dhënë dhe kanë themeluar artin figurativ. Në këtë kuadër ngrita problemin që këto studio të shpallen njëherë nga parlamenti si studio të artistëve të kategorisë superiore dhe t'i shpallin si studio muze, si monumente arti, që në valën e një turizmit kulturor ato do të nuk do të sillnin asgjë të keqe, veç të mirës që të vizitohen.

Ç'të tha Kryetari i Bashkisë, zoti Basha?
-Më propozoi që në shator do të krijonte kontaktet me Ministrinë e Kulturës për statusin e artistit dhe studiove për probleme që nuk janë në nivelin e duhur për sa i përket kujdesit. Si krijues, si mësues arti në shkollë i bëj thirrje, jo vetëm zotit Kryeministër Berishës, të gjithë deputetëve, si dhe Ministrit të Kulturës, që së bashku me zotin Basha të kenë angazhimin e plotë për mbrojtjen e statusit të studiove të artit dhe të ambienteve të tyre nga prishësit dhe shkatërruesit, ose nga ata që ndërtojnë pa leje. Këto shkatërrime po vazhdojnë, siç ndodhi edhe me shtëpinë e Flamurit në Korçë. Domethënë elementi regresiv është në funksion. Shpresoj që në këtë fazë tepër të ngarkuar të 100-vjetorit të mos përmbysim gjithçka me vlerë që trashëguam nga arti dhe kultura jonë shekullore.

Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë