TIRANE- Pak ditë më parë në rrugën “Brigada e VIII”, ka nisur ndërtimi i një pallati 9-katësh, në të vetmen hapësirë ku nuk kishte ndërtesë. Pallati i cili do të ndërtohet nga shoqëria “LID” sh.p.k, do të ketë edhe 2 kate parkim nëntokësor. Leja e Bashkisë së Tiranës është dhënë në janar të 2014-s, ndërsa leja zhvillimore për ndërtim është dhënë në 11 qershor 2014.

Pavarësisht se leja është dhënë para 10 muajsh, punimet kanë nisur ditën e fundit dhe pritet të përfundojnë në qershor të 2016-s. Distanca mes pallatit që do të ndërtohet dhe ndërtesave të tjera do të jetë nga 1-2 metër, që është një shkelje e Planit të Përgjithshëm Vendor që ka miratuar Bashkia e Tiranës në 2012-n. Gjithashtu pallati po ndërtohet vetëm 2 metër larg rrugës “Brigada e VIII”, që është një tjetër kriter i cili është shkelur me planin e ri urbanistik të Tiranës.