TIRANE- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë do t'i paraqesë ministrisë së Financave propozimet për ndryshimin e paketës Fiskale. Kreu I saj Nikolin Jaka bëri publike disa nga pikat që do t'i kërkohen qeverisë Rama brenda muajit tetor. Pika të cilat prekin nga tatim fitimi, tvsh por dhe te forma e apelimit të gjobave dhe rregullave të administratorëve të kompanive të ndryshme.

Si masë mbrojtëse bizneset ndër të tjera kërkojnë ndëshkimin e tatimorit në rastet kur vendimet e tij rrëzohen në gjykatë. Ligji i TVSH-së dhe heqja e skemës së TVSH së për aktivitetet që kërkojnë rimbursim mbetet nga pikat kyçe.

"Nuk duhet të kemi TVSH kur ajo rimbursohet përmes procedurave ligjore. Nuk ka sens logjik”, tha jaka.

Ndërsa për bizneset me xhiro deri në 8 milion lekë do të kërkohet të mos ketë tatim fitim më të lartë se 10 për qind, kjo sidomos në sektorin e agrobiznesit. Po ashtu dhe afatet për përgjigjen e apelimit si dhe administrimi I kësaj drejtorie do të kërkohet të rishikohen. Po ashtu është kërkuar penalizimi i punonjësve tatimorë në rast se vendimet e tyre ndëshkuese për biznesin do të rrëzohen disa herë prej gjykatave. Një shtesë e tillë duket se bëhet për të ndëshkuar punonjësit që përdorin gjoba për presion.

“Vendimi i formës së prerë nga Gjykata, rezultuar sipas regjistrit, neni 10 pika 3, këtu me pasojë rrëzimin e akteve të punonjësve tatimor jep efekt me fillimin e menjëhershëm të procedurave disiplinore për punonjësit përgjegjës sipas Kodit të procedurave administrative”, thuhet ndër propozimet e biznesit. Jashtë vëmendjes nuk mund të ishte kërkesa për heqjen e parapagesës së gjobës në rast të apelimit.

“Të abrogohet tërësisht duke ndjekur praktika si legjislacioni Francez ku detyrimi paguhet apo garantohet vetëm në shkallën e procedimit gjyqësor të formës së prerë, pra në Apel”, thuhet në kërkesë.

Shkrimi u publikua në "Shqiptarja.com" (Print) më 19.08.2014
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)