TIRANE- Besnik Mustafaj u shpall fitues i çmimit kombëtar të Letërsisë për romain më të mirë të vitit 2023 me librin “Fati i marrë”. Çmime pati për disa kategori botimesh, si për studimet, çmim që e mori Pëllumb Xhufi me librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar”. Ana Kove u shpall fitues për përkthimin më të mirë me veprën e Gunter Grass, “Daullja prej llamarine”, ndërsa Shpëtim Kelmendi me vëllimin me tregime “Dashnia asht”. Entela Tabaku u vlerësua me çmim për vëllimin poetik “Qeramikiania”, ndërsa Ledjona Braho për librin për fëmijë “Kroni dhe Pulëbardhat”.
“Marrja e një çmimi jep rast për debat për letërsinë dhe debati është i domosdoshëm për të zhvilluar një letërsi të mirë dhe cilësorë. Romani ‘Fati i marrë” në fakt është një Shqipëri e ëndërruar, një Shqipëri krejt ndryshe sipas përfytyrimit tim po ta kishte marrë pavarësinë në 1878, në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kongresit të Berlinit. Në këtë kuptim është një roman politik.”, - tha shkrimtari Besnik Mustafaj.
Ai vërejti se ia dedikonte këtë çmim të birit, Andit, i cili shumë shpejt do të përfshihet në politikë.
Studiuesi Pëllumb Xhufi nga ana e tij vërejti se libri i tij nuk ka vlera superiore mbi ato të kolegëve të tjerë, por ai gëzon privilegjin e moshës.
“Në këtë aspekt më lehtësoshet ndërgjegja që iu bëj një lloj padrejtësie në thonjëza kolegëve dhe miqve, të cilët kanë konkurruar në këtë zhanër.”,- nënvizioi Xhufi.
Shkrimari Shpëtim Kelmendi e lidhi të shkruarin me lirinë.
“Për fatin tim që në krye të herës kam bërë një zbulim të madh, që letërsia nuk kërkon kohën tonë të lirë, por letërsia kërkon lirinë tonë, lirinë tonë fizike, që pastaj konvertohet në një letërsi të madhe për njerëzit.”, - tha si.
Ndërsa përkthyesja Ana Kove bëri me dije se Çmimet e Letërsisë janë të vetmet raste, kur përkthyesit, ‘murgjit’ e kësaj pune titanike, mund t’u thonë diçka instancave.
“Do të doja t’i thosha ministrit të kulturës, që njëkohësisht është dhe ministër i ekonomisë, që të ketë njëçikë vëmendje më tepër ndaj përkthyesve. Ora e punës së tyre sot është më pak se ndoshta ora e punës së një lypësi.”,- vërejti Kove.
Autorja Ledjona Braho nuk ishte e pranishme për të tërhequr çmimin, për shkak të aryseve shëndetësore, ndërsa poetja Entela Tabaku nga ana e saj zgjodhi të falenderojë me një poezi, pjesë e librit fitues. Në ceremoninë e organizuar e rastin e dhënies së çmimeve të pranishmit folën për rëndësinë e këtyre çmimeve dhe vlerën e letërsisë.
“Të nderuar anëtarë të jurisë. Vendimet që keni marrë nuk janë thjesht çmime; ato janë edhe një formë e rëndësishme inkurajimi dhe orientimi për krijuesit tanë, një vlerësim për përkushtimin dhe artin e tyre. Ju falënderojmë që keni qëndruar roje të fjalës së shkruar dhe që me punën tuaj ndihmoni në ngritjen e vlerave të letërsisë shqipe”., - tha Blerta Rama, zëvendësministre e Kulturës dhe Ekonomisë.
Ndërsa Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së përgëzoi të gjithë krijuesit, që ishin pjesë e garës.
Pavarësisht kush ngjitet në skenë për të marrë çmimin, të gjithë ju që shkruani jeni fitues. Përmes fjalëve tuaja, ju mbani gjallë traditat tona, thelloni të menduarit tonë dhe i dhuroni letërsise një trashëgimi të pashlyeshme. Le të jetë ky çast një kujtesë se letërsia shqiptare është një fuqi e madhe. Ajo mund të na bashkojë, të na ngrejë mbi vështirësitë dhe të na japë një arsye për të shpresuar. Faleminderit që e mbani gjallë fuqinë e fjalës shqipe.”, - tha Bardhyli.
Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023 u akorduan nga një juri e posaçme e përbërë nga skenaristi dhe regjisori Koloreto Cukali, si kryetar i saj, gazetarja Monika Stafa, shkrimtarja Entela Kasi, përkthyesi Blendi Lami dhe studiuesi Xhevat Lloshi.