Është ndarë nga jeta gjinekologu i njohur kosovar Sejdullah Hoxha, i cili ka qenë edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës nga viti 2001 deri në vitin 2003.
Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur të afërmit e tij, të cilët shprehen se për shkak të pandemisë ceremonia mortore do të jetë familjare.
“Me dhimbje e pikëllim të thellë lajmërojmë farefisin, miqtë, shokët dhe dashamirët se me datë 06/03/2021 ka ndërruar jetë, bashkëshorti, babai, vëllau dhe gjyshi ynë i dashur dhe i paharruar. Varrimi i të ndjerit bëhet në rrethin familjar, në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan). Për shkak të pandemisë me virusin Covid 19 nuk mbahet e pamja”, thuhet në njoftimin e familjes.
Hoxha punoi si drejtor i maternitetit “Nënë Tereza” në Prishtinë gjatë viteve 1996-1999. Më pas nga 1999 deri më 2005 qëndroi në postin e drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.