Me hidhërim të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Ismet Bellovës, një prej figurave më të mëdha të sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare, mësues, gazetar dhe komentator që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mikrofonit dhe edukimit fizik në vend.
Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, duke u përkushtuar më pas me pasion dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik, si edhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.
Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, që në vitin 1948, kur u shpall edhe kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo - Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, ai u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.
Gjatë jetës së sit Bellova u nderua me një sërë çmimesh, në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive, ai u vlerësua me Çmimin e Karrierës në TVSH, dy herë Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe Mikrofonin e Artë në TVSH.
Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës është një humbje e madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën dhe te historia e sportit shqiptar, ku emri i tij zë një vend nderi. Homazhet në nder të figurës së Ismet Bellovës do të mbahen ditën e nesërme nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në hollin e RTSH-së.
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Ismet Bellovës, legjendës së komentimit në sportin shqiptar.
"Komentatori i shquar i Radio Tiranës, zëri unik i futbollit shqiptar, që ka komentuar në ditë të vështira e historike të sportit shqiptar, mjeshtër i fjalës dhe profesionist i rrallë, që me zërin e tij shoqëroi breza të tërë, profesor dhe mik i mirë, i respektuar nga i madh e i vogël për gjurmën që la, ndërroi jetë pasi jetoi gjithmonë si një njeri shumë i dashur.
Prehu në paqe Ismet Bellova. Zëri yt i paharruar dhe fisnikëria jote do të jetojnë gjatë në zemrat e atyre që u rritën duke të dëgjuar. Do të të kujtoj gjithmonë me respekt dhe mall", shkruan Duka.

Klubi i Futbollit Partizani ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Ismet Bellovës, ikonës së gazetarisë sportive që ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare.
Njoftimi i Partizanit:
Me keqardhje të thellë përcjellim lajmin e ndarjes nga jeta të ikonës së gazetarisë sportive Ismet Bellova. Një prej telekronistëve më të shquar në Shqipëri, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Për 62 vite Bellova i ka shërbyer plot pasion sportit në vend. Zëri i tij klasik, kumbues do të mbahen mend gjatë nga mijëra tifozë dhe sportdashës.
Një personalitet në gazetarinë sportive dhe një frymëzim për brezat e rinj. Media sportive humbi një aset, një prej figurave më të respektuara dhe më të dashura për publikun. FK Partizani dhe Presidenti Gazment Demi i përcjellin ngushëllimet më të sinqerta familjes Bellova dhe të afërmve. U prehsh në paqe ikona e gazetarisë sportive Ismet Bellova.
Komente













Ismet Bellova ishte nje personalitet per Shqiperine. Njeri shembullor. I paharruar kujtimi tij
Përgjigju