Ndahet nga jeta Madeleine Albright, 'kumbare' e çlirimit së popullit të Kosovës! Rama: Mbikëqyri rrugën e lirisë! Kurti: Mike e jona deri në fund

Ndahet nga jeta Madeleine Albright, 'kumbare' e çlirimit së popullit të Kosovës! Rama: Mbikëqyri rrugën e lirisë! Kurti: Mike e jona deri në fund

Madeleine Albright me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe Rexhep Qosja në Rambuje 1999

Ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, gruaja e parë që mbante këtë post është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Vdekja e saj u konfirmua në një e-mail drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga vetë Albright.

Albright do të mbahet mend për shqiptarët, si kumbare e lirisë së Kosovës. Albright ishte iniciatore e Konferencës së Rambujesë në vitin 1999, marrëveshje që i dha fund regjimit të Millosheviçit dhe solli çlirimin e Kosovës.  Ajo ka kontribuar për lirinë e Kosovës gjatë viteve të vështira të luftës dhe për ta shpërblyer shteti i Kosovës e ka nderuar me Medaljen e Arte të Lirisë. Për kontributin e saj për pavarësinë e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti në nder të saj.

Albright ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë dhe ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton. Ajo ishte imazhi i politikës së jashtme të SHBA-së në dekadën midis fundit të Luftës së Ftohtë dhe Luftës kundër terrorizmit të shkaktuar nga sulmet e 11 shtatorit 2001. Albright ishte në postin e sekretares se Shteteve te Bashkuara te Amerikës nga 23 Janari i vitit 1997 deri më 20 Janar të vitit 2010.

Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s , nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:46
Bill dhe Hillary Clinton: Vdekja e ish-sekretares Albright, humbje e madhe për botën

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright në Prishtinë më 2019

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, thanë se vdekja e Madeleine Albright është një humbje e madhe për botën.

“Ajo ishte një prej sekretareve më të mira të Shtetit, një ambasadore e shkëlqyer në OKB, një profesoreshë brilante dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Për shkak se ajo e dinte nga dora e parë që vendimet politike të Amerikës kishin fuqi për ta bërë dallimin në jetën e njerëzve në mbarë botën, ajo e pa punën e saj edhe si obligim, por edhe si mundësi. Ajo e bëri më të mirën për të avancuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin: duke i dhënë fund spastrimit etnik në Bosnje dhe Kosovë; duke mbështetur zgjerimin e NATO-s në Evropën Qendrore; duke luftuar përhapjen e armëve nëbrthamore; duke zgjeruar përpjekjet e SHBA-së për të forcuar shoqërinë civile, duke reduktuar varfërinë dhe duke ulur borxhin në shtetet në zhvillim; duke ngritur shqetësimet për ndryshimet klimatike dhe degradimin e mjedisit në nivel botëror dhe shumëçka tjetër. Për më tepër, deri në bisedën tonë të fundit dy javë më parë, ajo kurrë nuk e humbi sensin e humorit apo vendosmërinë e saj për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për liri dhe demokraci”, u tha në deklaratën e përbashkët të Bill dhe Hillary Clinton.

Ish-presidenti Clinton po ashtu kujtoi udhëtimin e fundit që e bëri së bashku me ish-sekretaren Albright në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me ç’rast u zbulua edhe busti për nder të saj, që gjendet në Prishtinë.

“Pothuajse tre vjet më parë, ne ishim në udhëtimin tonë të fundit së bashku për të festuar 20-vjetorin e luftës së Kosovës për pavarësi, kur ata vendosën që ta zbulonin një statujë të saj në qendër të Prishtinës. Për të ishte një ditë shumë e lumtur, një ditë shumë e merituar”, thuhet në reagim.

Madeleine Albright gjatë administratës së Bill Clintonit shërbeu fillimisht në postin e ambasadores në Kombet e Bashkuara dhe më pas më 1997 u emërua në postin e Sekretarit të Shteitt.

Ora 22:11
'Presim që Shqipëria të ndihmojë në udhëheqjen e rrugës drejt së ardhmes', Kim kujton deklaratën e Albright kur vizitoi Tiranën në vitin 2000

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim iu është bashkuar reagimeve për ndarjen nga jeta të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Përmes një mesazhi në Twitter, ambasadorja ka kujtuar vizitën e Albright në Tiranë në vitin 2000.

“Kur Madeleine Albright vizitoi Tiranën në vitin 2000, ajo tha: “Ndërsa shohim përpara drejt një të ardhmeje të re dhe më të ndritshme për Europën Juglindore, ne presim që Shqipëria të ndihmojë në udhëheqjen e rrugës””, thuhet në postimin e ambasadores Kim.

Ora 22:05
Ndarja nga jeta e Albraight, Alibeaj: Mike e vyer e shqiptarëve

Kryetari i Komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albraight.

“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, mike e çmuar e kombit tonë. Shqiptarët do të jenë përherë mirënjohës për udhëheqësinë e saj në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe për mbështetjen që i dha vendit tonë për anëtarësimin në NATO. Ngushëllime familjes dhe popullit amerikan. Pusho në paqe Madeleine Albright.

Ora 21:46
Haradinaj reagon për ndarjen nga jeta të Albraight: Do i kujtojmë gjithmonë përpjekjet e saj për lirinë e Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albraight.

“I pikëlluar për humbjen e mikes së madhe të Kosovës, sekretares Albright. Kosova e populli i saj do të kujtojnë gjithmonë, angazhimin e saj për t’i dhënë zë dhe rrugë, përpjekjeve tona për liri e konsolidim të shtetit të Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta për Familjen, miqtë dhe popullin amerikan! Përgjithmonë në zemrat tona dhe në kujtesën historike të vendit. U prehtë në paqe”, shkruan Haradinaj.

Ora 21:34
Ndahet nga jeta Madeleine Albraight, Meta: Roli i saj për Çlirimin e Kosovës mbetet historik

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albraight.

“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të një nga personaliteteve më të spikatura të politikës së jashtme amerikane, Sekretaren e Shtetit në vitet 1997-2001, Madeleine Albright. Ajo mishëronte në mënyrë të përkryer vlerat më të shkëlqyera të demokracisë amerikane.Me personalitetin e saj të jashtëzakonshëm, Zonja Albright fuqizoi rolin e gruas në politikë dhe frymëzoi gratë kudo në botë për lidership dhe barazi në vendimmarrje.

Roli i saj për Çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë ishte jetik dhe mbetet historik, duke i dhënë fund dhunimit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga regjimi kriminal i Millosheviçit, në momentet më kritike për ta dhe të ardhmen e Ballkanit. Shqiptarët i janë mirënjohës veprës dhe përkushtimit të saj për vëmendjen e posaçme në forcimin e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA.

Kam patur privilegjin e veçantë ta prisja në Tiranë, gjatë vizitës së saj zyrtare në shkurt të vitit 2000, të vijonim takimet tona zyrtare në Uashington në gusht 2000, si dhe në shumë raste të tjera, duke ndarë çaste të paharrueshme dhe duke qenë dëshmitar i përkushtimit dhe i vendosmërisë së saj për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan. Zonja Albright nuk do të kujtohet vetëm për pozitat e larta si e para grua, por mbi të gjitha për vlerat për të cilat luftoi dhe virtytet e larta njerëzore, që dëshmoi. Ngushëllime familjareve dhe popullit amerikan për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme! Lutem që shpirti i saj të prehet në paqen e merituar”, shkruan Meta.

Ora 21:23
Ndërron jetë Albraight, Nikolla: I jemi mirënjohës për kontributin e saj në çlirimin e Kosovës

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albraight.

“Albright ishte një politikane, shtetare dhe diplomate e shquar, e cila i shërbeu me përkushtim atdheut të saj të dytë, ShBA, ku emigroi në moshën 11-vjeçare nga vendlindja e saj, Çekosllovakia.

Ajo hyri në shërbimin publik dhe jetën politike për t’iu përkushtuar vendit të saj, kombeve dhe njerëzve kudo në planet, si një njeri i lirë, vizionare dhe luftëtare e paqes. E 64-ta Sekretare e Departamentit të Shtetit  dhe e para grua në këtë detyrë, Albright kontribuoi që Shtetet e Bashkuara të bëhen një udhëheqës moral, komb dhe faktor i domosdoshëm dhe thelbësor në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, duke kombinuar rolin vendimtar të ShBA me aleancat dhe vendimet multilaterale.

Shqipëria dhe shqiptarët i jemi mirënjohës Sekretares Albright për kontributin e saj përcaktues në vendimin për sulmet e NATO-s, të cilat çuan në çlirimin e Kosovës. Pushoftë në paqe”, shkruan Nikolla.

 

Ora 21:14
Ndarja nga jeta e ish-sekretares së Shtetit, Kryemadhi: Botës do t’i mungojë kontributi i Albright, mike e madhe e shqiptarëve

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar për ndarjen nga jeta të Madeleine Albright, ku shkruan se botës do i mungojë kontributi i saj.

“Botës prej sot do t'i mungojë kontributi i Madeleine Albright, gruaja e parë Sekretare e Shtetit në SHBA, mike e madhe e Shqiptarëve dhe model i forcës së gruas në drejtim. Emri i saj ka një vend të veçantë në historinë e marrëdhënieve mes dy popujve tanë, duke kulmuar me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për të cilin kombi shqiptar do ti jetë përjetë mirënjohës. Impakti i fenomenit Albright do të vazhdojë si deri më sot, të frymëzojë gjenerata liderësh që ngrihen mbi vlera dhe parime”, shkruan Kryemadhi.

Ora 21:10
Ndarja nga jeta e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Balla: Shqiptarët nuk do ta harrojnë rolin e saj në denoncimin e genocidit serb dhe luftës në Kosovë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-sekretares amerikane ë Shtetit, Madeleine Albright.

“U prehsh në paqe Zonja Sekretare e Shtetit Madeleine Albright! Ne shqiptarët kurrë nuk do ta harrojmë rolin tënd të pazëvendësueshëm në denoncimin e genocidit serb dhe Luftën në Kosovë”, shkruan Balla.

Ora 21:05
Madeline Albright ndërroi jetë, Kurti: Do na mungosh, mike e Kosovës deri në fund

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Madeline Albright.

"Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e Madeline Albright, një grua e shquar me moral të pakompromis për Shtetet e Bashkuara, një mike e Kosovës deri në fund dhe një partnere me të gjithë ata që ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë. Do të na mungosh, zonja sekretare", shkruan Kurti. 

Ora 20:59
Ndërron jetë Albright, Vjosa Osmani: Do ta kujtojmë përjetësisht, përkrahu pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan se është e tronditur nga lajmi për vdekjen e Madeleine Albright, ku e cilëson si mike të madhe të Kosovës.

“Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviçit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ora 20:45
Ndërron jetë Madalene Albright, Ministrja e Jashtme: Frymëzim për miliona vajza dhe gra në mbarë botën

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Madalene Albright.  Xhaçka ka vlerësuar rolin e saj për ndalimin e makinës së luftës kriminale të Millosheviç.

"Trishtim për ndarjen nga jeta të Sekretares Albright. Një grua e mahnitshme dhe një frymëzim për miliona vajza dhe gra në mbarë botën. Përgjithmonë mirënjohëse për rolin e saj në përfundimin e Luftës së Kosovës dhe ndalimin e makinës së luftës kriminale të Millosheviç. U prehshi në paqe zonja Sekretare!", shkruan Xhaçka.

Ora 20:15
8 fakte nga jeta e Madeleine Albright, zonja që bëri historinë

Madeleine Albright ishte gruaja e parë që shërbeu si Sekretare amerikane e Shtetit. Kujtimet e saj kryesore, ajo i përshkroi në librin e shkruar në vitin 2003 “Zonja Sekretare”. Ishte pothuajse e pakonceptueshme që dikush që nuk kishte përvojë politike deri në të 40-at, e për më tepër nëna e tre fëmijëve, të bëhej gruaja më e rëndësishme në historinë amerikane.

Kredencialet e saj mbresëlënëse janë: profesoreshë, ambasadore, autorja më e shitur sipas Neë York Times, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale.

Ajo njihet për thënien: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë e tjera”. ja disa fakte që duhet t'i dini për të.

“Madaleine” nuk është emri i saj origjinal

Ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Por emri “Marie” nuk u përdor gjatë. Anëtarët e familjes e quajtën Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frëngjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.

Familja e saj iku nga nazistët

Roli i babait të saj si ambasador i Çekosllovakisë në Beograd dhe respekti i thellë për demokracinë, vënë në dyshim sigurinë e familjes nën regjimin nazist. Ndërsa prindërit u organizuan për të shkuar në Londër, Albright jetoi me gjyshen në Çekosllovaki. Albright dhe familja e saj u larguan për në Angli 10 ditë pasi nazistët pushtuan kryeqytetin Pragë.

U shfaq në një film për refugjatë

Kur ishte në Angli, Albright u përzgjodh për t’u shfaqur në një film për fëmijët e refugjatëve të luftës. Si formë shpërblimi, ajo mori një arush prej pellushi. Familja kthehej në Çekosllovaki herë pas here. Albright (e cila flet rrjedhshëm gjuhën çeke) do të kthehej në Çekosllovaki shumë herë si e rritur, duke përfshirë edhe tetorin e vitit 2003, kur ajo udhëtoi atje për të nisur autobiografinë e saj. Megjithëse familja i ishte mirënjohëse që u kthye në vendin e lindjes, ajo nuk qëndroi atje shumë gjatë.

Si ambasadore e OKB-së bëri zgjedhje të vështira

Si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Albright votoi në favor të një rezolute të OKB-së më 10 gusht 1995, përmes së cilës serbët e Bosnjës detyroheshin të tërhiqeshin nga lufta, gjë që çoi edhe në mbarimin e konfliktit më të përgjakshëm të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.Megjithëse ishte shpesh një nga gratë e pakta në Dhomë (dhe shumë herë, e vetmja), Albright nuk e la veten në heshtje; ajo e kuptoi se nëse vetëm vëzhgonte, dëgjonte dhe nuk do të fliste, do të thoshte se zëri i Shteteve të Bashkuara nuk do të dëgjohej.

Roli i saj historik si Sekretare Shteti

Ndërsa Presidenti Bill Clinton morri detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997.Albright në librin e saj shkruan për postin që Clinton i besoi. “Ai më dha mundësinë që asnjë individ, mashkull apo femër tjetër, nuk më ka dhënë. Ai më ka nderuar duke më emëruar Sekretare e Shtetit e SHBA-ve”.Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.

E para zyrtare amerikane që takohet me liderin koreanoverior

Sekretarja amerikane e Shtetit Albright u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il më 23 tetor 2000.Udhëtimi i saj drejt vendit komunist, shënoi herën e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit dhe zyrtar i nivelit të tillë shkel aty.

Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje

Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.

Veshja e saj me spila në xhaketë që përcillte mesazhe

Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu. Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.

Ora 20:15
Ndërron jetë Madalene Albright, Basha: Mirënjohje për mbështetjen e saj për anëtarësimin në NATO dhe ndalimin e gjenocidit në Kosovë

Deputeti Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të Madeleine Albright, duke vlerësuar mbështetjen e saj të dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën.

"Prehu në paqe Madeleine Albright, Sekretarja e parë femër e Shtetit në SHBA. Përgjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e saj të vendosur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë shtytjen e saj që aleanca të ndërmarrë veprime vendimtare për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë", shkruan Basha

Ora 19:57
Ndërron jetë Madalene Albright, Rama: Lajm i trishtë! Mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të Sekretares së Shtetit Madalene Albright.

“Lajm i trishtueshëm ndarja nga jeta e Sekretares së Shtetit, Madalene Albright, gruaja që mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovës”, shkruan Rama.

I.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 23/03/2022 22:53

    Ngushellime familjes per kete zonje te nderuar Amerikane qe beri aq shume per lirine dhe demokracine e vendit tone

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit