Aktori Fitim Makashi është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. 

Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi, u shua si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ai vuante nga demenca dhe së fundmi kishte kryer edhe një operacion që i kishte përkeqësuar gjendjen shëndetësore.

Homazhet për Makashin do të zhvillohen nesër në orën 11:00 te teatri 'ArTurbina'.

Kush ishte Fitim Makashi

Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktor dhe mbaroi në 1967. Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në ILA dhe në të njëjtën kohë pati një angazhim të herëpashershme në Teatrin Popullor (sot TK). Zyrtarisht ishte viti 1978 kur u emërua aktor në këtë Teatër, vendi ku vazhdoi karrierën artistike si aktor për rreth 12 vjet, saktësisht deri nga mesi i viteve 90-të.

Gjatë kësaj kohe realizoi një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku ku kujtojmë rolin e Pedagogut në “Pas provimit të dytë” , Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, roli i Benit tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai tek “Besa”, Filipoviç tek shfaqja “Inspektori” që mbahet edhe si roli i fundit i tij në Teatër.

Fillimet në film i kishte që në vitin 1967 me një rol episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Prita” (1968) “Njësiti gueril” (1969) “Ndërgjegja” (1972) “Rugicat që kërkonin diell” (1975) “Në fillim të verës” (1975) “Ilegalët” (1976) “Nga mesi i errësirës” (1978) “Intendenti” (1980) “Gjurmë në kaltërsi” (1981) “Tre njerëz me guna” (1985) “Shpella e piratëve” (1991) “Vdekja e kalit” (1992).

Filmografia e Fitim Makashit:
-Vdekja e kalit (1992)
-Shpella e pirateve (1990)
-Tre njerëz me guna (1985)
-Gjurmë në kaltërsi (1981)
-Intendenti (1980)
-Nga mesi i errësirës (1978)
-Ilegalët (1976)
-Në fillim të verës (1975)
-Rrugicat që kërkonin diell (1975)
-Ndërgjegja (1972)
-Prita (1968)
-Duel i Heshtur (1967)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:19
Ndarja nga jeta e Fitim Makashit! Blendi Gonxhja: I dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt

1769875818_fitimmakashi.jpg

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja ka reaguar pas ndarjes nga jeta të aktorit Fitim Makashi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja u shpreh se u nda nga jeta një yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Gonxhja tha se Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt.

"Një tjetër yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare u nda sot nga jeta. Fitim Makashi, aktor, pedagog dhe emër i paharruar i skenës dhe ekranit, i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt. Ai la gjurmë në skenë me role si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës” dhe Filipoviç në “Inspektori”.

Në kinematografi u bë pjesë e filmave që sot janë klasikë: “Nga mesi i errësirës”, “Duel i heshtur”, “Prita”, “Njesiti gueril”, “Ndërgjegjia”, “Larg barbarëve”, “Shpella e piratëve”, “Vdekja e kalit”, “Tre njerëz me guna”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Intendenti”, “Ilegalët”, “Rrugicat që kërkonin diell”. U prehtë në paqe.", shkruan Gonxhja.