Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare ish-kryeministri grek, Kostas Simitis

Ish-kryeministri grek Kostas Simitis, ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, orët e para të të mëngjesit të së dielës, 5 janar 2025. Sipas drejtorit të spitalit të Korinthit, Grigoris Karpouzis, Simitis u transportua nga vila e tij në Agii Theodori drejt spitalit rreth orës 07:30, pa puls. Vdekja e tij u konfirmua pas mbërritjes në spital, ndërsa mediat greke shkruajnë se pësoi atak kardiak. 

Kush ishte Kostas Simitis

Kostas Simitis, profesor universiteti dhe politikan, ishte një nga figurat më të shquara të skenës politike bashkëkohore greke. Ai shërbeu si kryetar i PASOK-ut (30 qershor 1996 - 8 shkurt 2004) dhe kryeministër i Greqisë (18 janar 1996 - 10 mars 2004), duke lënë gjurmë në një epokë reformash të rëndësishme.

Pas rënies së diktaturës më 1974, Simitis ishte një nga anëtarët themelues të PASOK. Gjatë karrierës së tij politike, ai mbajti shumë poste ministrore, duke kontribuar në konsolidimin e partisë në pushtet.

Karriera e tij arriti kulmin më 18 janar 1996, kur pasoi Andreas Papandreun si kryeministër, pas një votimi të Grupit Parlamentar të PASOK-ut. Duke përfaqësuar polin modernizues, ai u përqendrua në reformat ekonomike dhe konvergjencën evropiane të Greqisë. Pak më vonë, më 30 qershor 1996, u zgjodh kryetar i PASOK-ut në Kongresin e 4-të të partisë.

Gjatë mandatit të tij, Simitis promovoi masa për stabilitetin ekonomik dhe një politikë të jashtme të moderuar. Privatizimi gradual i sektorit publik dhe anëtarësimi i Greqisë në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar në vitin 2001 ishin dy nga arritjet më të rëndësishme të tij.

Mandati i tij i dytë u karakterizua nga masa shtrënguese për uljen e inflacionit dhe borxhit kombëtar, si dhe nga përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Turqinë dhe çështjes qipriote. Si kryetar i PASOK-ut, Simitis i kushtoi rëndësi integrimit evropian dhe përshtatjes së Greqisë me sfidat e globalizimit. Radikalizimi i diskursit politik të partisë u lidh me përpjekjet për harmonizimin e vendit me standardet e Bashkimit Evropian.

Pavarësisht kundërshtimeve që shkaktuan politikat e tij, Kostas Simitis njihet për kontributin e tij të rëndësishëm në formësimin e Greqisë moderne.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:51
Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit grek, Meta: Simitis ishte reformator i madh i Greqisë për integrimin evropian

1736088860_metasimitis.JPG

Kreu i PL-së, Ilir Meta ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të ish kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis.

Meta shkruan në X, nga burgu 313 në Tiranë, se Simitis ka qenë kontributor në Greqi për rënien nga pushteti të Juntës ushtarake dhe ka qenë gjithashtu reformator dhe përparimtar në rrugën e Greqisë në BE.

Simitis shërbeu si kryeministër në shtetin helen nga radhët e PASOK në vitet 1996-2004.

'Me trishtim mësova për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis.

Kontributor për rrëzimin e juntës dhe luftëtar konseguent kundër diktaturave, Simitis ishte një personalitet i madh i politikës greke, jo vetëm si drejtues i PASOK-ut, por edhe si reformator i madh i përshpejtimit të integrimit europian të Greqisë.

Kam patur kënaqësinë të bashkëpunonim dhe i mbetem mirënjohës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve tradicionale shqiptaro-greke, bazuar mbi fqinjësinë e mirë dhe partneritet.

Ngushëllime familjes Simitis dhe popullit grek për këtë humbje të madhe!', shkruan Meta në X.

Ora 10:58
Ish-kryeministri grek Simitis ndërroi jetë, Majko: Kishte rol të veçantë në miqësinë shqiptaro-greke, ndërtoi tre kampe për shqiptarët e dëbuar të Kosovës

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar pas vdekjes së ish-kryeministrit grek, Kostas Simitis.

Në postimin në Facebook, Majko shprehet se Simitis ka pasur një rol të veçantë në miqësinë shqiptaro – greke.

Ai gjithashtu kujton se qeveria greke me në krye Simitis ndërtoi tre kampe në Shqipëri në ndihmë të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova.

“Kostas Simitis, ish kryeministri i Greqisë, ka ndërruar jetë! Çdokush është hero i historisë së tij personale por Kostas Simitis ka një rol të veçantë në miqësinë shqiptaro – greke! Ai ka qenë në zyrën e kryeministrit të Greqisë gjatë kohës së Luftës së Kosovës dhe u bë protagonist i një politike të matur brenda vendit dhe ndihmues karshi shqiptarëve! Qeveria e tij ndërtoi tre kampe në Shqipëri në ndihmë të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, dhe shmangu me qetësinë e tij karakteristike ekstremizmin periferik në shoqërinë greke!

Kostas Simitis mund të karakterizohet si një njeri për të cilin ndjesitë nuk ishin fakte!

Me një formim kulturor greko-gjerman dhe po ashtu produkt i shkollës ekonomike të Londrës, Kostas Simitis bënte diferencë nga kultura e vjetër e sjelljes ballkanike! Ai respektonte dallimet dhe nuk i demonizonte ato! Puna e tij ishte e ardhmja!

Politika është një dhomë egoizmi por Kostas Simitis, doli prej saj i nderuar!

Lamtumirë mik!”, shkruan Majko.

SI.E./G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Rama pret rabinin izraelit në Vlorë: Së shpejti nisim punën për ndërtimin e muzeut hebraik

Rama pret rabinin izraelit në Vlorë: Së shpejti nisim punën për ndërtimin e muzeut hebraik