Lamtumirë kineastit Dhamo, shuhet ‘babai’ i filmit të parë! Nga meraku i tij për ‘Tanën’ e restauruar, te mesazhi për të mos u vënë kryq filmave shqiptarë

Në 10 korrik familja kishte lajmëruar për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore… shkas që ‘Tana’ e restauruar u shfaq në mungesë të prezencës së tij fizike… Kristaq Dhamo, “Nderi i kombit”, regjisori i filmit të parë artistik me metrazh të gjatë, që firmosi dhjetëra suksese kinematografike nga ‘Mëngjese Lufte’ tek ‘Vendimi’, u nda këtë të dielë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Pas komplikacioneve shëndetësore regjisori u shua në Itali, pranë dy vajzave, siç shkruan regjisori Joni Shanaj, kineasti “iku një dhome ngjitur me Dhorkën, bashkëshorten dhe bashkudhëtaren e tij trimëreshë”.

Miqtë shprehin dhimbjen për largimin fizik të një prej themeluesve të kinematografisë shqiptare ndërsa regjisori Ilir Butka ndalet tek komunikimi i fundit me të në përvjetor të lindjes ku ndër të tjera i shkruan se “Njerëz krijues si Dhamo, jetojnë jashtë dimensioneve konvencionale në hapësirë dhe kohë, ndaj dinë të mirë administrojnë limitin që na është imponuar padrejtësisht”.

Dhamo, siç komunikoi familja e tij, një muaj më parë kërkoi që Arkivi i Filmit të shfaqte filmin “Tana” të restauruar në Korçë, pasi konsideronte se ‘ishte qyteti, fshati dhe teatri i tij që dhanë ndihmën më të madhe në realizimin faktik të filmit’. Drejtorja e Arkivit Marinela Ndria premtoi se filmi do të shfaqej jo vetëm në Korçë, por edhe në qytete të tjera.

2022-shi sa i përket kinematografisë shqiptare është edhe një vit jubilar, pasi shënohet 70-vjetori i themelimit të Kinostudios ‘Shqipëria e re”. Kontributi i Dhamos, shënon jo më pak se këto 7 dekada, nga vënia e parë në skenë e “Dëftesës së pjekurisë” kur ende ishte student. Bashkë regjisor tek filmi “Furtuna”, u ka dhënë jetë filmave si “Qortimet e vjeshtës” ku ishte edhe skenarist, “Brazda” e të tjerë.

Dhamo lë pas një krijimtari të pasur, një pjesë me peshë të historisë kinematografike së cilës siç thoshte ‘ s’mund t’i vihet kryq, pasi historia duhet njohur, sepse vetëm kur të njohim mirë historinë tonë, mund të bëjmë përpara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:52
Regjisori Ilir Butka rrëfen bisedën e fundit me Kristaq Dhamon: I urova ditëlindjen, më tha ç'të bëj me ato 100 vite

Regjisori Ilir Butka ka reaguar për ndarjen nga jeta të kineastit Kristaq Dhamo duke treguar se biseda e tyre e fundit ishte para disa muajsh kur i uroi ditëlindjen. Butka rrëfeu se mori përgjigje nga Dhamo, i cili i shkroi se e kishte marrë malli për të. Pas mesazhit, zhvilluan për herë të fundit një bisedë të gjatë me telefon.

Biseda mes tyre

Ilir Butka: I dashur Profesor, edhe 100 të tjera ju uroj! Gëzuar dhe përqafime!

Kristaq Dhamo: I dashur Ilir, të falenderoj shumë për urimet por desha të të pyes: ç’të bëj me ato 100 vite? Më duken pak si shumë, a po më jep edhe ndonjë këshillë si ti kaloj?! Më ka marrë malli për bisedat e bëra me ty. Të uroj shëndet e pasion të përhershëm krijues.

Ilir Butka: Ndonjëherë në urime të tilla ne shprehim në mënyrë të pavullneteshme dëshirën tonë për të mbajtur në këtë jetë të afërm, miq, personazhe që i admirojmë si shprehje e egoizmit tonë. Ne ndjejmë që ata na përkasin dhe nuk duam ti humbim. Është nga ato rastet e rralla kur ndjenja e përkatësisë nuk dëmton askënd përkundrazi ndihmon jo vetëm personazhin e admiruar por edhe admiruesit e tjerë të tij, që të gëzojnë ekzistencën e të preferuarit të tyre. Pra është një përjetim jo personal që ndahet midis shumë njerëzve. Duket sikur dëshirat e tyre, si fije të padukshme mbajnë në jetë dashurinë e tyre të përbashkët.

Urimi për 100 vite është një konvencion për të treguar një maksimum, me të cilën si duket është limituar ADN-ja njerëzore. Ju pyesni: ç'të bëj me ato vite? Jam i bindur qe ju do të dini ç'të bëni me to sikundër ka ndodhur me vitet e jetës tuaj. Njerëzit krijues si ju jetojnë jashtë dimensioneve konvencionale në hapësire dhe kohë ndaj dinë të mirë administrojnë limitin që na është imponuar padrejtësisht. Do të doja të takoheshim dhe të bisedonim gjatë. Ju përqafoj fort.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic