SHKODER- Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare studiuesi i njohur shkodran Mentor Quku. Autori i mbi 12 veprave studimore dhe i kolanës prej 10 vëllimesh kushtuar Ndre Mjedës, vuante nga një sëmundje e rëndë. Ndërsa ceremonia e lamtumirës së studiuesit Mentor Quku do të zhvillohet nesër në qytetin e Shkodrës në orën 18:00.
 
Mentor Quku ishte "Profesor Nderi", i Universitetit të Shkodrës, ndërsa së fundmi botoi tre shkrime me kërkimet e fundit në arkiva.

JETA DHE PUNA AKADEMIKE E STUDIUESIT MENTOR QUKU
Mentor Quku ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. U arsimua në Shkollën Pedagogjike "Shejnaze Juka" në Shkodër (1951-1954), Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë (1955-1957) dhe Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës (1960-1963).

Ka qenë mësues në shkollat e Shtiqënit, Brutit dhe Kukësit (1954-1957), në shkollën e mesme "Xheladin Fishta" në Shkodër (1961-1963), në shkollën e Barbullushit (1965-1991), në shkollën e Bahçallekut (1991-1992). Ka qenë drejtor i Muzeut Historik Shkodër (1992-2000) duke organizuar katër seminaret e para "Shkodran në shekuj". Është drejtor i revistës "Kumtari" dhe i gjashtë vëllimeve "Seminari Ndërkombëtar, "Shkodran në shekuj".

Është autor i disa studimeve e botimeve në fusha të ndryshme të dijes si metodikë e dhënies së mësimit, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstologji, psikologji të arteve figurative, psikologji sportive, psikologji të moshave, histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi për fëmijë, letërsi politike, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë. Tema qendrore e botimeve të tij mbetet ajo e Ndre Mjedës
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)