Ndaleni Dodikun

Ndaleni Dodikun

Milorad Dodik

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, po rrezikon gjithnjë e më shumë paqen në Bosnje-Hercegovinë, shkruan autori ynë i ftuar Christian Schwarz-Schilling.

Më 1 korrik, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë-Hercegovinën, Christian Schmidt, përdori përsëri kompetencat e tij për të anuluar dy ligje antikushtetuese të Parlamentit të Republika Srpska-s dhe për të forcuar kodin penal të Bosnjë-Hercegovinës.

Parlamenti i Republikës Serbe, një ndër dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës e që banohet kryesisht nga serbët, më parë  kishte miratuar një ligj që pezullonte zbatimin e të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës në RS. Projekt-ligji u propozua nga Milorad Dodik, presidenti i RS, i cili ka lidhje të shkëlqyera me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Ky ligj është shkelja më e rëndë e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit që nga fundi i luftës në vitin 1995 dhe kësisoj ka shkaktuar trazira të mëdha. Nuk është për t'u habitur që komuniteti ndërkombëtar - Departamenti i Shtetit i SHBA-së, BE-ja, NATO dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) - reaguan menjëherë dhe paralajmëruan  kundërmasa.

Jo më luftë, terror dhe akte mizore

Masa e parë erdhi nga Christian Schmidt, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së tmerrshme në Bosnjë. Më 1 korrik, Schmidt anuloi dy ligje të miratuara nga parlamenti i Republikës Srpska dhe ndryshoi kodin penal në Bosnje dhe Hercegovinë në mënyrë që kushdo që sulmon rendin kushtetues të shtetit të përballet me një dënim me burg deri në pesë vjet. I njëjti ndëshkim do t'u jepej edhe atyre që nuk respektojnë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë. Kjo i jep zyrës së prokurorit publik të Bosnje dhe Hercegovinës një bazë ligjore të fortë për të ndjekur penalisht si Dodik ashtu edhe kriminelë të tjerë. Por, se a do të zbatohet, kjo është një pyetje tjetër.

Në fjalimin e tij të jashtëzakonshëm për shtyp, Schmidt bëri të qartë se veprimet e Dodikut dhe Parlamentit të Republikës Srpska janë një shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Ai kujtoi se mandati i marrëveshjes së paqes është të sigurojë që lufta, terrori dhe mizoritë siç i ka përjetuar popullsia në  Srebrenicë dhe gjatë rrethimit të Sarajevës të mos ndodhin më kurrë. Christian Schmidt i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë sanksione të reja kundër kujtdo që dëmton qëllimisht rendin kushtetues të Bosnje-Hercegovinës.

Përmbushja e qëllimeve të luftës së mëparshme

Vendimin e Schmidtit, Dodik jo vetëm që e injoroi, por përkundrazi, më 2 korrik, në një fjalim konfuz, ai deklaroi se Republika Srpska nuk do ta njohë më Gjykatën e Drejtësisë, Prokurorinë Publike dhe Agjencinë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të Bosnjë- Hercegovinës dhe se ai, Dodik,  mund të thërrasë një referendum mbi statusin e Republikës Srpska, nëse rritet presioni ndaj tij.  Përveç kësaj, ai tha se do të donte të forconte kufirin midis Republikës Srpska dhe Federatës.

Në fjalimin e tij, Dodik gjithashtu u përpoq të fuste në lojë Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiq si dhe konfliktin me Kosovën. Kjo nuk është për t'u habitur. Nuk është sekret se tani është një luftë për pushtet midis dy presidentëve – dhe përfundimisht se kush duhet të udhëheqë të gjithë kombin serb në të ardhmen. Dodik tha se "vendimet e Schmidt përfaqësojnë një sulm të sinkronizuar ndaj Republika Srpska, Serbisë dhe Aleksandar Vučić dhe meje." Ai përsëriti se "beson në bashkimin me Serbinë," që në fakt do të thotë përmbushje e qëllimeve të luftës së Serbisë së Madhe të ish-Presidentit serb Slobodan Milosheviq.

 Sanksione konsenkuente

Presidenti Vučić deri tani është treguar i përmbajtur në  deklarata, duke vënë në dukje vetëm se është shumë i shqetësuar për ngjarjet në Republikën Serbe dhe se ka frikë se komuniteti ndërkombëtar ka vendosur të marrë një qasje shumë të ashpër.

Ekonomistja Jelena Trivic, një e preferuara politike e Presidentit Vuçiç, e cila në tetor 2022, kandidoi si riveale e Dodikut dhe në rrethana shumë të dyshimta, i humbi zgjedhjet presidenciale në Republikën Srpska, komentoi për kanalin e pavarur televiziv Face TV-Sarajevo: "Unë nuk jam për atë, që ne si komb dhe si Republika Srpska të bëhemi viktima të një individi të papërgjegjshëm, në një aksion që quhet: 'Si t'i shpëtoj miliardat e mia?' Kjo është ajo që po bën Dodik." Ajo paralajmëroi se "Dodik kërcënon të gjithë RS-në dhe njerëzit që për shkak të vendimeve të tij irracionale do të bëhen mish për top."

Tani bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë. Nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime si asokohe, kur une isha Përfaqësues i Lartë, kur Shtetet e Bashkuara më penguan që të ndërmerrja veprime për t’i treguar vendin Dodik. Sot, komuniteti ndërkombëtar ka shumë mundësi për të sanksionuar Dodik. Vetëm se sanksionet duhen zbatuar në mënyrë konsekuente.

Duhet vepruar me mençuri dhe vendosmëri

Nuk duhet humbur kurrë nga sytë fakti se Dodik është në fakt krahu i zgjatur i Putinit në Ballkanin Perëndimor. Ai e ka përsëritur vazhdimisht se do të shkojë deri në fund,  sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Kjo fjali në veçanti duhet të na shkundë të gjithëve, sepse Dodik nuk ka çfarë të humbasë. Kjo e bën atë shumë të rrezikshëm.

Bashkohem me zërat e disa intelektualëve të njohur boshnjakë që shkruajnë në një artikull në portalin Bosnja e Lirë: "Përgjigja ndaj këtij grusht-shteti të ngadalshëm që po bën Dodik duhet të jetë konfrontim, e jo kompromise dhe lëshime. Vendosja e forcave policore, forcave të misionit Althea të EUFOR-it ose vendosja e forcave të "Over the horizon" te NATO-s do të duhej të shqyrtohej urgjentisht, fillimisht duke vendosur forcat e ndërhyrjes në pikën  më të rëndësishme gjeostrategjike, në qarkun Brcko. Dodik nuk do të ndalet derisa ta ndalin."

Duhet vepruar me shumë mençuri dhe me shumë vullnet tani. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të përsërisë gabimet e viteve 1990. Dodik nuk duhet të fillojë një luftë të re.

Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë Përfaqësues i Lartë dhe Përfaqësues Special i BE-së në Bosnje-Hercegovinë në vitet 2006/07. Nga viti 1982 deri në vitin 1992, politikani i CDU-së ka qenë Ministër Federal i Postës dhe Telekomunikacionit. Ai dha dorëheqjen në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane të atëhershme ndaj luftës së Bosnjës./DW

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër