Reiz Petritaj, i moshuari nga fshati Strelcë i cili ngriti bastunin për të ndaluar largimin e kryetarit socialist të këshillit Bashkiak të Maliqit nga mbledhja e thirrur për të kundërshtuar bashkimin me Korçën, tregon se revolta e tij erdhi ngaqë përfaqësuesit socialist ndryshuan qëndrim nga sa kishin deklaruar publikisht.

Ndonëse rreth të 80-ave, Reiz Petritaj kishte bërë një rrugë jo të lehtë për të vajtuar sot në Maliq. Fshati i tij Strelcë është vetëm 30 kilometra larg, por rruga është e vështirë dhe kërkon më shumë se 1 orë udhëtim për ta përshkuar.

I moshuari thotë se ndryshe nga sa ishin shprehur në konsultimet publike, socialistët kishin ndryshuar qëndrim, dhe kjo kishte shkaktuar revoltën e tij ndaj këshilltarëve të shumicës.

“Unë mora vesh edhe vajta në Lozhan. Erdhën në Lozhan dhe ranë dakord të tërë në Lozhan që të mos prishet bashkia Maliq. Tani këto lojëra sesi janë, unë nuk e kuptoj”, tha mes të tjerash i moshuari.

Zemerata e tij shpërtheu ndaj kryetarit të Këshillit, Ornildi Demollari, kur socialistët u ngritën të dilnin nga salla e takimit.

“Ku vete ti i thashtë unë kryetarit? Kalova në ekstrem për moshën që kam edhe i shtyta kështu”, tregoi i moshuari.

Ai tregon se në mbledhje nuk kishte shkuar si përfaqësues i askujt.

“Jo jo përfaqësues, shkova vetë unë”, shtoi i moshuari.

I moshuari thotë se në asnjë mënyrë Maliqi nuk duhet të bashkohet me Korçën. Ndërsa inatin duket se e ka me kryetarin e Parlamentit Niko Peleshi, njëkohësisht dhe deputet i këtij qarku.

“I çoj mesazh kryetarit të Parlamentit që ka bërë shumë korrupsion me bashkinë e Maliqit, që kanë bërë korrupsion me ujërat dhe spitalet. Nuk do ta gëzojë dot kryetari i Parlamentit korrupsionin që ka bërë me Bashkinë Maliq”, përfundon i moshuari.