TIRANE- Reformimi i drejtësisë ka nxjerrë në pah dhe ndasitë midis ekspertëve të fushës dhe aktorëve të vetë sistemit, ku si zgjidhje kreu i Unionit të Gjyqtarëve sheh krijimin e një statusi për togat e zeza, ndërsa me skepticizëm reformën e sheh anëtari KLD-së Gjin Gjoni, i cili dhe pse i kallëzuar për fshehje pasuri ka dhënë këshilla për kolegët e tij.
 
“Arsyeja pse sistemi gjyqësor ndodhet në këtë gjendje do t’i kërkojmë te sjellja dhe puna jonë gjatë ushtrimit të detyrës dhe jashtë saj, tek mënyra dhe cilësia e zgjedhjes së personave që na përfaqësojnë, tek indiferenca që ne gjyqtarët tregojmë në raport me problematikat që ka sistemi. Unioni i gjyqtarëve të Shqipërisë do të ketë si objektiv kryesor të krijojë më së fundi një ligj për statusin e gjyqtarit”, tha Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtarëve.
 
“Reforma e cila është realizuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në shkollën e Magjistraturës dhe në gjykatën administrative deri në momentin aktual ka lënë shije jo shumë të mirë. Njëkohësisht unë besoj dhe shpresoj që reforma në drejtësi ti referohet dhe progres raportit të Bashkimit Europian, i cili dy elementë kryesor shtjellon, elementi i parë është rritja e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe elementi i dytë është lufta kundër korrupsionit”, tha Gjin Gjoni.
 
Në diskutime janë përfshirë dhe Kryeprokurori Llalla dhe Ministri Naço, të cilët duke pranuar domosdoshmërinë e reformës janë shprehur se do të japin mbështetjen e institucioneve që drejtojnë.
 
Për kreun e akuzës reforma në drejtësi do të arrihet atëherë kur të kompletohet kuadri ligjor.
 
“Në këndvështrimin e Prokurorisë së Përgjithshme, reforma e institucioneve të drejtësisë duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me ndryshimet e nevojshme të ligjit procedurial penal dhe ligje të tjera”, tha Llalla.
 
Teksa për ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço reforma në drejtësi do të prek një sërë institucionesh.
 
“Reforma jonë do të përqëndrohet në disa shtylla kryesore, si ajo në reformimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të konferencës Gjyqësore Kombëtare, të Këshillit të Prokurorisë, të shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridiko-universitar”, tha Naço.
 
Në diskutimet për reformën në drejtësi është përfshirë dhe kryeprokurori Llalla, i cili duke pranuar domosdoshmërinë e reformës është shprehur se do të jepet mbështetja e nevojshme nga institucioni që ai drejton. Për kreun e akuzës, reforma në drejtësi do të arrihet atëherë kur të kompletohet kuadri ligjor.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)