Ndërgjegjësimi në rritje për sigurinë kibernetike ishte në qendër të eventit #SiguriOnline, organizuar të premten, nga ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT).

I frymëzuar nga eksperienca ndërkombëtare dhe i mbështetur nga një fushatë, e cila zgjati gjatë gjithë muajit tetor nën siglën e hashtagut #SiguriOnline, aktiviteti erdhi për herë të parë në Shqipëri me qëllim promovimin e përdorimit të sigurt të internetit për të gjithë përdoruesit, përfshirjen e palëve të interesuara, sektorin publik, privat, akademinë, tërheqjen e vëmendjes dhe interesin e publikut të gjerë në lidhje me sigurinë e informacionit.

Ministri i Shtetit për Inovacionin, Milena Harito, theksoi nevojën për të patur një shoqëri dixhitale të sigurt, të qëndrueshme dhe të besueshme. Duke nënvizuar zhvillimet e mëdha teknologjike në vend, Harito përmendi nevojën që kemi sot për të lundruar online në mënyrë të sigurt, siguri e cila buron nga vetë përdoruesit dhe mbështetet nga institucionet qeveritare dhe ato private.

Ky mesazh u përcoll edhe nga referuesit e tjerë të eventit, të cilët sollën ekperiencat e institucioneve të ndryshme të përfaqësuara. 

ATSH