Gjatë punimeve të tryezës 'Për reformimin e sistemit të drejtësisë', diplomatë të akredituar në Tiranë, nënvizuan se kjo nuk është thjesht një reformë e gjykatave apo e legjislacionit, por para së gjithash ajo synon reformimin e një game të gjerë institucionesh, procedurash e madje dhe zakonesh.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, tha qartazi se sot Shqipëria ka nevojë të reformojë nga themeli mënyrën se si funksionon sistemi i drejtësisë. Kjo, sipas tij, do tërhiqte investimet e huaja, por do rriste dhe besimin e qytetarëve në funksionimin e vendit të tyre.
Duke vlerësuar praninë në tryezën e sotme të përfaqësuesve të të dy kahëve politikë, ambasadori i OSBE-së theksoi se për realizimin e reformës është i domosdoshëm vullneti politik në nivelet më të larta, i cili, duhet të shprehet përmes angazhimit për një proces gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e aktorëve vendas e të huaj.
Raunig nënvizoi se reforma në drejtësi nuk është një forum rivaliteti, por lypsen përgjegjësi të qarta për menaxhimin e saj, në mënyrë që gjithë aktorët e përfshirë të mund të punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët.
Ambasadori i OSBE-së nënvizoi si një nga shtyllat kryesore të reformës pjesëmarrjen e qytetarëve, në mënyrë që procesi të jetë i qartë dhe transparent, ku të gjithë aktorët e interesuar ta dinë se si dhe kur do të thonë fjalën e tyre në një sistem drejtësie që mbron të drejtat e tyre.
I ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Henry Jardine, në fjalën e tij drejtuar tryezës së sotme vlerësoi se reforma në gjyqësor është kritike për zhvillimin e vazhduar demokratik të Shqipërisë.
Duke shprehur mbështetjen e SHBA-së për këtë reformë, diplomati amerikan kërkoi që dhe partnerët shqiptarë t'i përkushtohen zbatimit të një reforme gjyqësore thelbësore dhe të efektshme.
Ai nënvizoi rolin jetësor të Komisionit të Venecias në këtë proces, ndërsa tha se zyrtarët e qeverisë dhe deputetët po ashtu duhet të peshojnë me kujdes këshillat eksperte që mund të ofrojë ai.
Jardine kërkoi nga forcat politike që të bëhen bashkë në këtë proces e të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake. "Ato duhet të punojnë jo për avantazhe politike, por për interesin e qytetarëve shqiptarë", tha diplomati amerikan.
Duke ritheksuar nevojën që ky proces të jetë tërësor dhe përfshirës, Jardine kërkoi që udhërrëfyesi i BE-së të shërbejë si drejtuesi kryesor; të merret mendimi i Komisionit të Venecias; të kryhen konsultime me të gjithë aktorët përkatës, përfshirë shoqërinë civile; procesi të kryhet në përputhje me nevojat e qytetarëve të Shqipërisë dhe të mos politizohet.
ATSH