SHKODËR - Një i burgosur në burgun e Shkodrës ka ndërruar jetë ditën e sotme në qelinë e tij.

Përmes një njoftimit zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se 20-vjeçari Nicolae Ionnut Erion Deliver nga Rumania "gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal".

Menjëherë 20-vjeçari është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se i burgosuri me origjinë nga Rumania ka ndërruar jetë.

"Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi 'Arrest në burg', për veprat penale 'Vjedhje me dhunë' dhe 'Prodhim dhe shitje e narkotikëve'",- njofton Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.