Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare
studiuesi i njohur shqiptar Petro Zheji

Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare<br />studiuesi i njohur shqiptar Petro Zheji
Petro Zheji, kryemjeshtri i përkthimit dhe figura e njohur e linguistikës shqiptare është ndarë sot nga jeta në moshën 85 vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Ai është një ndër figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare duke qenjë një përkthyes, studiues dhe gjuhëtar mjaft i njohur.

Poliglot që e njihte me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njihte e zotëronte deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle,  gjermane,  ruse,  hebraishten,  sanskritishten e vjetër, greqishtën e vjetër dhe latinishten.

Ringjalla ” Tolstoit,”, ”Obllomovin ” i Goncarovit, (nga rusishtja), ”Vitet e zemërimt” të Shtajnbekut, (nga anglishtja), ”Zoti President “ dhe “Papën jeshil” të Asturiasit (nga spanjishtja), janë disa nga veprat e përkthyera prej  filozofit dhe eruditit Petro Zheji,  por pa harruar vëllimin e dytë të “Don Kishotit”, nga spanjishtja. Një vit më parë në Panairin e Librit,  Petro Zheji, u  vlerësuar me çmimin e mirënjohjes, çmim që u tërhoq  nga djali i tij, publicisti Artur Zheji. Petro Zheji realizoi pas një pune të thellë dhe të pandërprerë studimin e tij me dy vëllime “ Shqipja dhe Sanskritishtja”, në dy vëllime.

Kush ishte Petro Zheji
I lindur në Gjirokastër më 16 tetor 1929, Petro Zheji ka qenë arsimtar, përkthyes i sprovuar dhe gjuhëtar me erudicion. Vëllai i tij, Gjergj Zheji ka qenë një personalitet me peshën e vet në fushën e letrave.

Jeta
I biri i Spiro Ballos, i lindur më 1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali gjatë kohës së Mbretnisë, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve ’40 nga regjimi i rishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë.
Petrua studion matematikë në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa” dhe vajti me dhanë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqërorë dhe si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961, u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë dhe Petrua mbas viteve ’90 largohet drejt ShBA-së.
Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror 14 personaliteteve, ndër ‘to edhe Petro Zheji. 

Përkthime
I përfolur si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjestim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958, dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin. Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Shtajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.
Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit. Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit.

Vepra
Atij nuk iu dha kurrë mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit. Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërëkuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të ëndrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu, etj. Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta, etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie, etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve.

Kryeministri Edi Rama,kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe kreu i PD, Lulzim Basha kanë bërë homazhet në nder të përkthyesit dhe studiuesit të gjuhës shqipe në sallën UNESCO, në Muzeun Historik Kombëtar.

"Ndarja nga jeta e Petro Zhejit është një humbje e parikuperueshme për familjen por është edhe një humbje e parikuperueshme për letrat shqipe, për miqtë dhe apostujt e tij të elitës shqiptare të letrave, intelektualët shqiptarë. Ngushëllimet e mia për familjen Zheji, uroj që Zoti t’i japë Petro Zhejit paqen e merituar, ndërsa të gjithë admiruesve, bashkëpunëtorëve, kolegëve, nxënësve të tij të sotëm dhe të nesërm, t’u japë forcën e vullnetin për të çuar përpara mendimin, studimet e papërsëritshme dhe me vlerë që na ka lënë si amanet dhe trashëgimi e çmuar", deklaroi Basha.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf