KORÇE- Në rrugicën përballë Mitropolisë së Korçës, çdo mëngjes zihet brumi dhe ndizet zjarri, një ritual i ruajtur me fanatizëm prej më shumë se tre dekadash.
Muret e lyera me gëlqere, furra e vjetër me dru dhe ora rrethore në mur të sjellin ndër mend shume kujtime. Është një ambient ku koha duket se ecën më ngadalë.
Brenda kësaj furre të vogël punon me përkushtim, furrtari Viktor Sadikllari, së bashku me bashkëshorten dhe të birin.
“Unë e kam mësuar zanatin në kohën e diktaturës dhe pas viteve ’90-të vazhdova të punoj në këtë furrë të vjetër pa i bërë asnjë ndryshim. Vij në orën 06:00 dhe iki pas mesnate, gjatë periudhës së festave, ndërsa gjatë vitit punoj deri në orën 16:00. Po ta kesh qejf zanatin nuk ka lodhje asnjëhere. Unë jam në moshë pensioni por vazhdoj të punoj se dua të ndihmoj djalin për të siguruar të ardhura”, shprehet ai për mikrofonin e Report TV.
Prej 35 vitesh, në furrën “Mitropolia”, buka piqet me dru zjarri, një proces i ngadalte që kërkon durim dhe përkushtim. Bukëpjekësi na pret me mirësjellje dhe gjen kohë të na shpjegojë recetën e tij.
“Bukën e bëj me miell vendi dhe e pjek ngadalë në furrë. Del e mirë dhe njerezit e pëlqejnë”.
Për shumë korçarë, radhët e përditshme nuk janë thjesht pritje për bukë, por një ritual besnikërie ndaj traditës.
“Vijnë mbajnë radhë për të marrë bukën në mëngjes se ne prodhojmë sasi të vogël. E vetmja vështirësi është për të gjetur drutë e zjarrit”, shton ai më tej.
Me afrimin e festave të fundvitit, tavolina e madhe prej druri mbushet me tepsi bakllavash të sapopjekura. Amvisat korçare i besojnë Viktorit pjekjen e embelsires, simbol të tryezës festive të Vitit të Ri.
“Po amvisat i gatuajnë vetë bakllavatë dhe i sjellin këtu sepse sekreti qendron tek pjekja. Është më e mirë kur piqet në zjarr se në sobë korenti. Tani ka rënë pak puna se kanë dalë edhe bakllava të gatshme por sidomos zonjat e moshuara i hapin vetë petët, madje edhe kur janë me diabet sërish nuk e lënë pa bërë ëmbëlsirën tradicionale”, thekson furrtari i njohur korçar.
Përpos vendasve, edhe emigrantët që janë rritur me aromën e kësaj buke ndalojnë te “Mitropolia” sapo kthehen në vendlindje, si një mënyrë për t’u treguar fëmijëve shijen e fëmijërisë së tyre.
“Ata vinin kur ka qenë të vegjël dhe vijnë serish sot se kanë mall. Po veç emigrantëve vijnë dhe turistët. Unë ua jap pa lek por ata e paguajnë”, shton ai.
Në një kohë kur industria ecën me shpejtësi, furra tradicionale e Viktor Sadikllarit ka mbetur si një vend ku nuk ruhet vetëm shija e mire e bukës, por edhe një pjesë e identitetit të Korçës.
Komente





