‘Ndërsa të dy ishin dënuar me vdekje e pritnin ekzekutimin, aty hynë dy hetuesit xhelatë të pashpirt, të cilët u thanë: Çohuni, lëreni bukën se…’/ Dëshmia e trishtë e Petro Markos

‘Ndërsa të dy ishin dënuar me vdekje e pritnin ekzekutimin, aty hynë dy hetuesit xhelatë të pashpirt, të cilët u thanë: Çohuni, lëreni bukën se…’/ Dëshmia e trishtë e Petro Markos

Memorie.al / Inxhinieri kimist, që kishte studiuar në Grac dhe Mynih dhe ishte përfaqësues i firmës farmaceutike “Bayer” në Shqipëri, Asim Abdurrahmani u torturua ditë me radhë derisa u dënua me vdekje. Në të njëjtin gjyq, u dënua me pushkatim dhe Gjush Deda, Ejëll Çoba dhe Petro Marko, të arrestuar gjatë asaj kohe, të cilët rrëfejnë ditët e fundit të Asimit dhe Gjushit, deri kur erdhën t’i merrnin për t’i pushkatuar duke iu thënë: “Ngrihuni se drekën e mbaroni në atë botë”. 

Edhe pse kishte luftuar kundër fashizmit, ishte burgosur dhe internuar, Petro Marko nuk u shpëtoi burgjeve komuniste në Shqipëri, duke u arrestuar më 15 maj 1947, si agjent i anglo-amerikanëve. Në birucën e katit të poshtëm të Burgut të Vjetër në Tiranë, ku e futën pas arrestimit, gjeti Asim Abdurrahmanin, dhëndrin e Bedri Pejanit, shkodranin Gjush Deda dhe Asllan Ypin.

Asimi dhe Gjushi ishin dënuar me vdekje. Ishin gjykuar, siç shkruan Ejëll Çoba, në librin e tij me kujtime “Jetë e humbun”, së bashku me Sali Vuçiternin dhe Musa Gjylbegun.

Prokurori, kishte kërkuar dënim me vdekje për Gjushin dhe dënim me burgim të përjetshëm, për gjithë të tjerët. Të nesërmen, kryetari i gjyqit, i kishte dorëzuar një letër Ministrisë së Brendshme dhe kishte lexuar një letër ku përmendte emrat e të gjithë të dorëzuarave, kurse për Asimin thoshte se: “e kishin kap”, atëherë prokurori kishte kërkuar dënimin me vdekje dhe për Asimin.

E vërteta ishte që Asimi, pasi ishte arratisur kishte menduar të dorëzohej, por pastaj kishte ndërruar mendje dhe ishte fshehur. Partizanët kishin rrethuar shtëpinë ku fshihej ai dhe pasi kishin nxjerrë banorët që nuk e kallëzonin, kishin goditur me armë shtëpinë. Pas tri ditësh, Asimi kishte trokitur nga vendi i ngushtë ku rrinte prej tri ditësh, pa bukë e ujë dhe ishte dorëzuar.

Nga duart e partizanëve, kishte rënë fill në duart e Sigurimit. E akuzonin se kishte bashkëpunuar me pushtuesin. “I çfarë lloji mund të ishte ky bashkëpunim unë nuk e di. As nuk kisha dëgjuar që të ishte marrë ndonjëherë me politikë”, shkruan Ejëll Çoba. Asimi kishte studiuar inxhinieri kimike në Grac e Mynih, kishte qenë Konsull Nderi në Austri dhe punonte si farmacist në Shqipëri, ku ishte përfaqësues i firmës farmaceutike “Bayer”.

Ejëll Çoba, e ka bërë hetuesinë në të njëjtën kohë me Asimin, me të njëjtin hetues, madje dhe kanë ndarë të njëjtën birucë gjatë kohës që merreshin në pyetje dhe torturoheshin. Ai tregon se; Asimi kishte nisur të shfaqte shenja lodhjeje, fliste me vete me zë të lartë dhe bënte lëvizje të kota. Kur Ejëlli kishte tentuar ta ndihmonte, roja që e pa nga sporteli, e rrahu me dru, sa u lodh. Pas torturave, Asimi doli në gjyq. Fillimisht mendoi që i shpëtoi jeta, por të nesërmen, u vendos dënimi i tij me vdekje.

Bashkë me të dënuarin tjetër me vdekje, Gjush Deda, i futën në kamion për t’i çuar drejt Burgut të Vjetër të Tiranës ku, do të prisnin ekzekutimin.

“Për të dy më erdhi keq shumë se, e dija se asnjëri nuk kishte pasur as zotësinë, as mundësinë, me vepru kundër Lëvizjes. Ndërsa kamioni i mbyllur me hekura, po merrte Gjush Dedën dhe Asim Abdrrahmanin, pashë Gjushin që po i thoshte prokurorit: “Zoti prokuror, si u bë kjo punë”?, kurse Asimi shikonte nga dritaret e burgut, sigurisht për t’i thënë lamtumirë ndonjë shoku”, shkruan Ejëll Çoba.

Në Burgun e Vjetër, ndërsa prisnin ekzekutimin, i gjeti Petro Marko. Në kujtimet e tij, që familja i ka përmbledhur më pas në librin “Retë dhe gurët”, (botim i OMSCA-1),shkrimtari përshkruan takimin dhe bisedat me ta, deri te çasti i fundit, para se t’i merrnin për t’i pushkatuar.

Kur kishte hyrë në birucë, pas habisë së të dënuarve që edhe Petro Markon e kishin arrestuar, Asimi i kishte thënë: “Më kanë dënuar me vdekje! Nuk e di pse…! Unë Babushin (Bedri Pejanin) nuk mund ta mohoja, se e kam vjehërr…! Pastaj, pse jam përfaqësues i shoqërisë farmaceutike gjermane “Bajer”, nuk është ndonjë krim”. Bedri Pejanin, nënshkruesin e Pavarësisë, komunistët shqiptarë ia dorëzuan atyre jugosllavë dhe ai ndërroi jetë, në rrethana misterioze në spital në Prizren, sipas shumë dyshimeve, i helmuar.

Pas disa ditësh, në atë qeli zhvillohet një nga skenat e shumta makabre të burgjeve të diktaturës, që jo gjithmonë kanë pasur dëshmitar një shkrimtar për t’i treguar. Ndërsa ishin ulur këmbëkryq, duke ngrënë ushqimet që u kishin sjellë të afërmit, si shkruan Petro Marko në kujtimet e tij, në birucë u futën oficerët e Sigurimit, Haznedari dhe Stavri Xhara, “të zellshëm për ofendime dhe tortura nga më çnjerëzoret”.

“-Ti, Asim Abudrahmani dhe ti Gjush Deda, ngrihuni”!

Nuk e di si guxova dhe fola: Dale të mbarojmë drekën…! Tani sapo u shtruam!

-Pusho ti, agjent i fëlliqur! Ju ngrihuni, se drekën e mbaroni në atë botë.

Shtangëm. Gjush Deda, trim, tha:

-Asim, ngrihu! Të shpëtojmë nga kjo pjellë e keqe që ka lindur ky vend fatkeq, i pushtuar nga Titoja, që ka këtu si xhelat Enverin!

Më erdhi të ulërija kur pashë Stavrin ta godiste me këmbë në kokë dhe ta shante.

-Ngrihuni!

Gjush Deda i tha Asimit:

-Mos u ligështo. Mbaju burrë, se ne bëjmë pjesë te kurbanet, në ato mijëra kurbane që Enver Hoxha, i ther për perëndinë e tij Tito.

Përsëri Stavri e goditi rëndë. E hoqi zvarrë. Me Asimin u përqafuam me lot në sy. Dëgjova:

-Në dalçi gjallë këtej, thoni se vdesim të pafajshëm!

Dera u mbyll. Unë dhe Asllani ndenjëm në këmbë me lot në sy, ndërsa radioja, shpërndante me zë të lartë me anë të megafonit të vënë në oborr të burgut “Orën gazmore” dhe i bënte të qeshnin ata që e dëgjonin.

Ishte edhe kjo një nga ato mijëra skena makabre që kam parë gjatë gjithë jetës”.

Ishte data 8 qershor 1947. Deri sa doli nga burgu më 15 maj 1950, Petro Marko, do të bëhej dëshmitar edhe i shumë të dënuarve të tjerë që burgoseshin dhe vriteshin ende pa e kuptuar arsyen dhe arsyeja do mungonte përjetësisht. /Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren