Duke e cilësuar Hoxhën si një simbol të korrupsionit, përmes një deklarate zyrtare, Dajti thotë se Florenc Hoxha duhej të ishte arrestuar, ndërsa e cilëson "një hajduti ordiner, që për vite me radhë ka ushtruar presion dhe dhunë mbi qytetarët e Tiranës”.
Kryeinspektori u kallëzua nga dy kompani ndërtimi.
Arrestimi i Florenc Hoxhes, mbrëmë pranë QS. Akuza: Shpërdorim detyre e korrupsion
Në orët e vona të natës është prangosur Florenc Hoxha, njeriu më i afërm i kryeashkiakut Lulzim Basha, njëherësh kreu i Inspektoriatit Ndërtimor pranë bashkisë së Tiranës. Ndërkohë rreth orës 14:00 është vetëdorëzuar edhe kryeinspektori i INUK-ut Zyhdi Dajti, në komisariatin e Vlorës pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata.
Kanë qënë efektivët e policisë së kryeqytetit ata që kanë bërë arrestimin e Hoxhës, pasi ndaj tij pasditen e djeshme gjykata e Tiranës kishte marrë vendimin për caktimin e masës “arrest në burg” në mungesë, masë kjo që është kërkuar nga njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës.
Sipas burimeve të akuzës në momentin e arrestimit dhe shoqërimit në polici, Hoxha nuk ka bërë rezistencë ndaj bluve të Tiranës. Prokuroria shprehet se ndaj tij që prej vitit 2013 janë depozituar 5 kallëzime penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe korrupsionit. Por pas veprimeve hetimore nuk është arritur të sigurohen prova për të vërtetuar veprimet korruptive të zyrtarit të bashkisë Florenc Hoxha, por është vërejtuer se në pesë raste ai ka shkelur ligjin urbanistik dhe rregulloren e ndërtimit të nxjerë nga vetë bashkia e Tiranës, duke mos vepruar në prishjen e katër objekteve dhe vepruar në një rast, që në fakt ka qënë në proces legalizimi.
Deklarata e plotë e Kryeinspektorit të INUK, Zyhdi Dajti
Ora 15:40 "Si zyrtar i Shtetit Shqiptar, por edhe si një profesionist që për vite me radhë ka shërbyer në Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit, dekoruar në vitin 1996 me Medaljen “Shqiponja e artë” me dekret të Presidentit të Republikës, kam respektin më të lartë për ligjin, të cilin gjatë gjithë viteve të mia të punës, jo vetëm e kam zbatuar, por edhe kam nxitur qytetarët që ta zbatojnë.
Që unë kam zbatuar ligjin edhe gjatë detyrës sime në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kjo nuk mund të vihet në dyshim. Sikundër askush nuk duhet të dyshojë në faktin se unë, që nga ky moment kur jam lajmëruar zyrtarisht nga Policia e Shtetit, do të zbatoj ligjin, do të paraqitem në institucionet përkatëse dhe do të ndjek rrugën ligjore për të vërtetuar pafajësinë time.
Por ajo ç’ka më bën përshtypje, që nuk mund të rri pa e thënë publikisht, është mënyra e turpshme se si Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në këtë rast, duke kërkuar ndalimin tim, paralelisht me arrestimin e vonuar të një personi që prej vitesh duhej të ishte arrestuar, të një hajduti ordiner, që për vite me radhë ka ushtruar presion dhe dhunë mbi qytetarët e Tiranës. Vendosja e shenjës së barazisë mes meje, një shërbyesi të shtetit që ka zbatuar vetëm ligjin e ka mbrojtur territorin nga ndërtimet pa leje e të paligjshme, dhe Florenc Hoxhës, një simboli të korrupsionit, që për vite me radhë ka lejuar lulëzimin e ndërtimeve pa leje dhe të paligjshme në kryeqytet, është e turpshme, fyese dhe pa asnjë moral. Unë kam besim se e vërteta shumë shpejt do të triumfojë dhe jam besimplotë se drejtësia do të vendoset".
Vetëdorëzohet në Komisariatin e Vlorës, kreu i INUK Zyhdi Dajti
Ora 14:00 Kreu i Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti është paraqitur në Komisariatin e qytetit të Vlorës pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata për shpërdorim detyre.
Në një prononcim për mediat Dajti tha se është njohur me akuzat ndaj tij nga mediat. “Unë nuk po vdes, unë jam në rilindje. Kam kryer detyrën në bazë të ligjit”, tha kreu i INUK Zyhdi Dajti para dorëzimit në komisariatin e qytetit të Vlorës.