Ndërtimet në Tiranë, KQZ nuk
pranon kërkesën për referendum 

Ndërtimet në Tiranë, KQZ nuk<br />pranon kërkesën për referendum 
Administrata juridike e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve e ka konstatuar si të parregullt kërkesën për referendum të grupit “Ne Tirana” për mbajtjen e një referendumi mbi ndërtimet në kryeqytet. Çështja që kërkojnë nismëtarët të fillimin e procedurave për referendum lidhet me ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të disa zonave të rëndësishme të qytetit të Tiranës si Kurora e Gjelbër e Tiranës, Lumi i Lanës dhe Bulevardi i Tiranës. Por në relacionin e përgatitur nga drejtoria për mbledhjen e së hënës, pritet që të rrëzohet kërkesa pasi nuk janë ndërtuar pyetje të qarta dhe konkrete. Megjithëkëtë, vendimi i takon tryezës së 7 anëtarëve të cilët do të vendosin mbi bindjet e tyre pavarësisht relacionit.

Kërkesa
Në datë 28.07.2016, një grup prej 12 nismëtarësh ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkesën për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi vendor, për disa çështje në lidhje me zonat e mbrojtura të Bashkisë Tiranë. Në kërkesën e tyre Grupi Nismëtar ka argumentuar se çështja për të cilën kërkojnë fillimin e procedurave për referendum vendor lidhet me ruajtjen dhe mbrojtjen e të ashtuquajturit Parku i Liqenit Artificial të Tiranës, duke theksuar se kjo është një çështje me interes të madh publik, pasi natyra, mjedisi dhe ruajtja e tyre ndikon në mirëqenien materiale dhe shpirtërore të njeriut. Sipas nismëtarëve, referuar dispozitave ligjore të përmendura në kërkesë, kanë të drejtën të kërkojnë zhvillimin e një referendumi vendor dhe për këtë i kërkojnë KQZ-së pajisjen me Fletët-Tip për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për zhvillimin e referendumit.

Mangësitë
Nismëtarët në kërkesën e tyre kanë paraqitur se çështjet që duhet të shtrohen në referendum janë: 1. “A duhet të shpallet zonë e mbrojtur, në kuptim të ligjit nr.8906, dt.06.06.2002 “Për zonat e mbrojtura”, sipërfaqja e territorit  të bashkisë Tiranë e përcaktuar në hartë me koordinatat sipas aneksit A. 2.  “A duhet të ndalohet çdo lloj ndërtimi sipas  përcaktimeve të ligjit nr.107/2014 “për planifikimin dhe zhvillimin e  territorit”, i ndryshuar, në sipërfaqen e territorit të Bashkisë Tiranë e përcaktuar në koordinatat sipas aneksit A  dhe deri në shpalljen e kësaj zone sipërfaqe si zonë e mbrojtur”. 3. “A jeni dakord që lejet e zhvillimit zhvillimi dhe/ose ndërtimi sipas përcaktimeve të ligjit nr.107/2014 “për planifikimin dhe zhvillimin e  territorit”, i ndryshuar, në sipërfaqen e territorit të Bashkisë Tiranë e përcaktuar në aneksin A dhe deri në  miratimin e dokumentit”. Kërkesa për referendum e grupit nismëtar nuk plotëson elementet e saktësisë dhe qartësisë. “Çështja duhet të formulohet në mënyrë të qartë, të plotë dhe pa ekuivoke dhe në mënyrë të tillë që zgjedhësit të mund të përgjigjen me "PO" ose "JO”.” 

Nga analiza e hartimit të pyetjeve të paraqitura nga nismëtarët, rezulton se nuk ka një lidhje midis pyetjes që shtrohet për referendum dhe rëndësisë së saj. Pyetjet që shtrohen për referendum nga nismëtarët janë të paqarta dhe me elemente thellësisht teknik, të cilat ndoshta janë të kuptueshme vetëm nga specialist të fushave specifike të rregullimit të territorit. Pyetjet që shtrohen për referendum, janë të paplota, pasi pyetjet janë të lidhura me aneksin A, pa të cilin ato nuk kanë kuptim dhe nuk mund të qëndrojnë. Koordinatat e paraqitura në aneksin A, janë thellësisht teknike. Për sa më lartë, kërkesa për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumit vendor, është e paqartë jo e plotë në kundërshtim me kërkesat e nenit 126, pika 5 të të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003”,-thuhet në relacionin e KQZ-së. 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Rikthim në 2008-n, pse u rimbyllën listat e deputetëve?!

Ylli Pata: Rikthim në 2008-n, pse u rimbyllën listat e deputetëve?!