Ndërtimet pa leje, Çipa: Rama
s'do të na dënojë do na përkrahë

Ndërtimet pa leje, Çipa: Rama<br />s'do të na dënojë do na përkrahë
TIRANE - Kryetari i bashkisë së Sarandës Stefan Çipa ka përveshur mëngët për të filluar punën e shembjes së ndërtimeve pa leje, ato që janë me tejkalim të lejes të ndërtimit si në sipërfaqe dhe në numrin e kateve, por edhe me leje ndërtimi që prishin rehatinë e qytetarëve sarandiotë por edhe turistave. Kështu Çipa, pas takimit në Vlorë me kryeministrin Edi Rama kanë dilluar punën për të përgatitur dosjet për çdo ndërtim pa leje. Në një intervsitë për shqiptarja.com ai ka komentuar edhe procedurën e prishjes por edhe faturat që do të kryhen. Dokumentacionin e nevojshëm, të argumentuar teknikisht, i cili do t’u shkojë biznesve përpara se operacioni të nisë, pa i lejuar vetes asnjë spekullim, por edhe pa lënë asnjë hapësirë për spekullim prej tyre.
 
Vendimi i kryeministrit në ardhje Edi Rama për prishjen e të gjitha pronave pa leje duket se do të jetë e vështirë për kryetarët e bashkisë së bregdetit, pasi dihet që janë me shumicë. Si do të veproni?
Nuk përbën ndonjë sekret t’ju them se fokusi i takimit të Kryeministrit në ardhje Edi Rama me krerët vendorë të Bregdetit të jugut, ishte “pastrimi” i vijës bregdetare nga ndërtimet që e kanë shpërfytyruar Rivierën tonë, duke e betonizuar në mënyrë të tejskaljshme. Sigurisht që kjo nuk është punë e lehtë, është e vështirë, shumë e vështirë, por ne për të vështirën jemi.

Mendoj se Saranda ka një “lehtësi”, në se mund të quhej e tillë. Pasi kaosi urban nuk ka vazhduar në këto dy vitet e fundit, që administrohet nga socialistët. Një nga sfidat e mia dhe të stafit të bashkisë aktuale ka qenë në dy vitet e para që “të mbajmë frymën”, të qetësojmë situatën urbane dhe ta kemi atë në tavolinë. Kontrolli mbi territorin, që vlerësohet shumë i rëndësishëm dhe parësor në detyrat dhe kompetencat e qeverisjes vendore, na ka dhënë dorë për të kuptuar ne vetë se ku gjendemi, sikundër ka bindur edhe vetë ndërtuesit se nuk mund të vazhdohet të ndërtohet pa fund në mënyrë të rrëmujshme. Kjo sfidë ka varfëruar dukshëm arkën e bashkisë, pasi në të nuk është arkëtuar asgjë në zërin “leje ndërtimi”. Por nuk ka dyshim se i fituar ka dalë qyteti dhe komuniteti, pasi në dy vitet e fundit nuk është lejuar të vazhdojë shkatërrimi i Sarandës, duke menduar se po e ndërtojmë atë.

Një moment reflektimi dhe vlerësimi për tërë këtë përpjekje të mundimshme ka qenë konferenca e dytë kombëtare që Bashkia jonë thirri në marsin e këtij viti në Sarandë, me pjesëmarrjen edhe të disa institucioneve dhe të ekspertëve të fushës së urbanisitikës në shkallë vendi. Në të u debatua rreth tezës sonë se si ta bëjmë Sarandën pa e zhbërë në kontekstin urban, duke shtruar nevojën e rigjenerimit urban, për ta përdour atë si katalizator për zhvillimin e turizmit. Thekset që vuri në vijim programi elektoral i Partisë Socaliste na kristalizuan edhe më mirë detyrat tona në këtë fushë, detyra që presin të zbatohen tani me atë që mediatikisht është quajtur “stuhia e vjeshtës” në bregdetin shqiptar.

Sa është numri i ndërtimeve që do të prishen?
Nuk mund të them saktësisht se sa është numri i ndërtimeve që do të jenë objekt i prishjes së madhe që do të nisë në shtator. Por mund t’ju them se menjëherë pas kthimit nga takimi që patëm në Vlorë me Kryeminsitrin Rama, ne kemi nisur nga puna që do t’i paraprijë paketës ligjore të zhvillimit urban dhe prishjeve të objekteve, që dihet se do të jenë ato pa leje, ato që janë me tejkalim të lejes të ndërtimit si në sipërfaqe dhe në numrin e kateve, por edhe me leje, që ka cënuar interesat publike.

Cilat do të jenë masat e para që do të ndërmerren?
Specialistët tanë janë duke evidentuar gjithë objektet që kategorizohen si ndërtime pa leje, ndërtime me leje të paligjshme apo me leje të tejkaluar. Brenda gushtit do listohen ato. Dhe kështu do të kemi një përfytyrim të saktë se ku do të drejtohet dhe çfarë do të përfshijë operacioni prishës i shtatorit e në vijim. Duke e pasur në kontroll të plotë e të vazhdueshëm administrimin e territorit, ne jemi ndalur rast pas rasti në pengimin e hedhjes së betoneve në objekte të paligjshme që kemi konstatuar gjatë fushatës zgjedhore, kemi dialoguar dhe u kemi kërkuar deri në lutje subjekteve që të mos ndërtojnë duke sfiduar ligjin e pushtetin, pasi ky do të ishte një shpenzim që do të përundonte në det. Dhe kështu do të ndodhë, askush nuk bën më shaka, qeveria që po merr pushtetin, është e vendosur ta nisë nga pastrimi i bregdetit nga ndërtimet dhe kjo është e domosdoshme dhe e dobishme për të gjithë dhe për sektorin prioritar të zhvillimit të këtij rajoni, që është turizmi. Unë këtë thirrje ja kam drejtuar vazhdimisht në këto dy vite në daljet e mija publike (edhe para zgjedhjeve të 23 Qershorit) që kushdo që do ndërtojë pa leje të jetë i sigurt se ne do godasim.

Po me ato pa leje që janë ndërtuar, por kanë prishur ‘bukurinë’ si do t’ia bëni? Duhet kosto e prishjes?
Më lejoni t’ju bëjë të qartë të gjithë lexuesve tuaj se nuk do t’i shpëtojnë prishjes jo vetëm objekte pa leje, por edhe ato me leje që kategorizohen si ndërtime ngritja e që vjen ndesh me interesat e qyetarve, ndërkohë që toleranca do të jetë pa diskutim zero për objektet me tejkalim lejesh, apo tejkalim të parametrave të njohura të vendosura me ato që njihen si kondicione urbane.

Për të gjitha kategoritë e prishjeve që do të bëhen, ne jemi duke përgatitur gjithë dokumentacionin e nevojshëm, të argumentuar teknikisht, i cili do t’u shkojë biznesve përpara se operacioni të nisë, pa i lejuar vetes asnjë spekullim, por edhe pa lënë asnjë hapësirë për spekullim prej tyre. Me punën që jemi duke bërë në këtë javë të fundit të gushtit, ne do të shmangim çdo handikap të mëparshëm, që na ka ndodhur: kur ne kemi shkuar për prishje, subjekti ka përdorur të drejtën ligjore për ta vënë objektin nën masën e sigurisë në gjykatë dhe ne kemi qenë të detyruar të tërhiqemi. Me prishjet e shtatorit, kjo hapësirë kohore do të jetë e konsumuar përpara se të vijë data dhe ora e ndërhyrjes operacionale për prishje.

Kush do ta paguajë koston e prishjes së pallateve, lokaleve...? E kam fjalën për mjetet që do të merren, kush do ti paguaje?
Këto janë modalitete dhe detaje, për të cilat është herët të flasësh, por edhe për këto elemente ligji me të cilin punojnë inspektoriatët ndërtimorë, si ai vendor edhe ai kombëtar, shprehen qartë. Mendoj se nuk ka asnjë arësye këtë radhë që të mos zbatohet ligji ashtu siç ai është shkruar. Kostoja e prishjeve përballohet nga ai që ndëshkohet nga ligji me prishje dhe kjo është pjesë e saj.
Mjetet e rënda që do të angazhohen në operacion ose do të merren me qera ose do të angazhohen ato të INUK.

Sa është shifra e ndërtimeve pa leje në Sarandë?
Kam përshtypjen se nuk është punë kurioziteti kjo shifër. Janë dhjetëra e dhjetëra që do të hyjnë në listën e prishjeve që do të prekë “stuhia e vjeshtës”. Çdo deklarim me shifra do të ishte i parakohshëm, pasi specialistët dhe grupet e punës janë ende duke punuar. Për një gjë dua t’ju siguroj, që ky do të jetë një pastrim i dobishëm për qytetin, që do të rifitojë mjaft elemente nga ato që i ka humbur në 20 vitet e fundit dhe qeverisja vendore do të ketë më shumë hapësira e mundësi për t’i kthyer në lulishte, në shkallare të gurta dhe në kënde lojërash e terrene sportive, për të cilat deri tani kemi bërë duke u ndjerë ekstremisht të kufizuar.

Është bërë mediatike se do të “dënoheni” edhe Ju kryebashkiakët, nëse nuk do të zbatohet ligji. Kaq seriozisht e ka marrë Rama këtë punë?
Kot më pyesni mua për Edi Ramën, se Tirana dhe Shqipëria e ka njohur vendosmërinë dhe seriozitetin e tij në administrimin e kryeqytetit. “Rilindja shqiptare” prej shtatorit nuk do të dëgjohet si slogan e vizion, por do shfaqet si një mënyrë të qeverisurit të vendit dhe si një qasje e re e shtetarit dhe qytetarit me ligjin, me te cilin boll u bë shaka…

Sa për dënimin e kryebashkiakëve, unë do të thosha se do të jemi jo të dënuar, por të favorizuar e të privilegjuar me këtë mbështetje të fuqishme që na vjen nga qeverisja qendrore. Ne disa herë jemi orvatur ta vendosim vetë pushtetin e ligjit në ndërtime, por në mungesë të mbështetjes nga qeveria qendrore e aq më pak kur “një i bie gozhdës e tjetri patkoit”, kjo as nuk mund të mendohej, jo të bëhej. Tani erdhi ora e punëve të mëdha e serioze për shqiptarët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë