Në Shtetet e Bashkuara sot duket gjithnjë e më qartë një ndarje në mënyrën se si njerëzit e kuptojnë patriotizmin. Nga njëra anë është ajo që mund të quhet Amerika e “patriotëve”. Nga ana tjetër është Amerika e amerikanëve të zakonshëm.

Amerika e “patriotëve” është ajo që shkon pas ideologjisë së pushtetit. Ajo mbështet çdo politikë që paraqitet si interes kombëtar, pa bërë shumë pyetje për pasojat. Për këtë Amerikë, politika ndërkombëtare është një llogari përfitimi dhe force.

Amerika e amerikanëve është ndryshe. Ajo përbëhet nga njerëz të zakonshëm të të gjitha ngjyrave dhe prejardhjeve. Ata nuk e shohin botën vetëm përmes interesit ekonomik. Ata shqetësohen edhe për atë që ndodh me njerëzit në vende të tjera.

Ky kontrast nuk është i ri në historinë amerikane.

Në vitet para Luftes se dyte boterore, një pjesë e madhe e politikës amerikane mbështeste izolacionizmin. Argumenti ishte: konfliktet e Evropës nuk ishin problem i Amerikës. Politikanë dhe lëvizje të tëra kërkonin që vendi të qëndronte larg luftës dhe të mendonte vetëm për interesat e veta.

Vetëm pas goditjes japoneze në Pearl Harbor në vitin 1941 Amerika hyri në luftë dhe mori një rol global që ndryshoi historinë e shekullit XX.

Por edhe pas kësaj, debati nuk u zhduk. Ai u shfaq në mënyra të ndryshme gjatë luftës në Vietnam, gjatë ndërhyrjeve në Lindjen e Mesme dhe në shumë kriza të tjera ndërkombëtare.

Edhe sot ky debat vazhdon.

Tashmë kemi një luftë të re të Amerikës në Lindjen e Mesme, ku SHBA, bashkë me Izraelin, kanë filluar një fushatë ushtarake ndaj regjimit të ajatollahëve të Iranit. Që populli iranian meriton një regjim tjetër nuk ka asnjë diskutim. Por zgjidhja nuk mund të vijë nga bombat dhe raketat e huaja, por nga revolta popullore e iranianëve për të përmbysur regjimin obskurantist aktual, të cilin bombat dhe raketat vetëm e forcojnë.

A është kjo një luftë për demokraci?

Në një deklaratë të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, thuhet se Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe se kur çmimet e naftës rriten, “ne fitojmë shumë para”.

Kjo fjali është e thjeshtë, por ajo hap një pyetje për të gjithë: kush është “ne”?

Këtë pyetje e bëri publikisht edhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom. Ai tha se amerikanët e zakonshëm nuk po fitojnë para nga rritja e çmimit të benzinës. Përkundrazi, ata po paguajnë miliarda dollarë më shumë në pompë. Ata “ne”, ndoshta ishin “patriotët” që mblidhen rreth pushtetit.

Rritja e çmimit të naftës mund të rrisë të ardhurat e industrisë së energjisë dhe të disa kompanive të mëdha. Por për shumicën e amerikanëve kjo do të thotë kosto më të larta për transportin, për ushqimin dhe për jetën e përditshme.

Në këtë pikë kontrasti mes dy Amerikave bëhet më i dukshëm.

Amerika e “patriotëve” nuk shqetësohet shumë për numrin e viktimave në konflikte të largëta nëse rezultati është një përfitim ekonomik ose strategjik. Për këtë mënyrë të menduari, stabiliteti i tregut të energjisë dhe interesat gjeopolitike janë prioritet.

Amerika e amerikanëve e sheh ndryshe. Për shumë njerëz të zakonshëm, konfliktet dhe regjimet shtypëse në botë nuk janë vetëm çështje strategjie. Gati çdo ditë në rrugët e qyteteve amerikane ka protesta të njerëzve të zakonshëm që shikojnë përtej hundës dhe rehatisë së tyre të momentit. Ato lidhen me jetën reale të njerëzve në vende të ndryshme të botës. Më bënte shumë përshtypje kur shihja, në mes të shiut, erës dhe të ftohtit, njerëz amerikanë që qëndronin 24 orë përballë godinave të emigracionit për të protestuar kundër arbitraritetit të pushtetit në politikën e emigracionit. Në minus njëzet gradë Celsius qytetarët e Minesotës qëndronin duke protestuar në rrugë. Këta nuk bënin pjesë në Amerikën e “patriotëve”, por në Amerikën e amerikanëve.

Fati i njerëzve të zakonshëm në shumë vende shpesh varet nga mënyra se si vepron Amerika. Ka dy mënyra për ta ushtruar këtë rol. Njëra është Amerika që udhëheq me shembullin e demokracisë së saj. Tjetra është Amerika që përpiqet të udhëheqë përmes frikës së forcës së saj.

Historia tregon se ndikimi më i madh i Amerikës në botë nuk ka ardhur nga frika, por nga shembulli. Ideja e lirisë që lindi me Revolucionin Amerikan ndikoi për shumë dekada popuj në kontinente të ndryshme. Shumë lëvizje që luftuan kundër kolonializmit u frymëzuan nga modeli amerikan i një shoqërie që pretendonte të ndërtohej mbi parimin e lirisë dhe të vetëqeverisjes.

Kur Amerika mbështetet te ky shembull, ajo fiton respekt dhe ndikim. Kur ajo mbështetet vetëm te forca, ndikimi i saj dobësohet.

Problemi është se shumë prej atyre që shohin politikën vetëm përmes përfitimit ekonomik e shikojnë rolin e Amerikës në mënyrë shumë të ngushtë. Ata e reduktojnë atë në çmime energjie, në tregje dhe në fitime të menjëhershme.

Në këtë mënyrë ata mbyllin sytë ndaj dëmit që kjo qasje mund t’i bëjë reputacionit të Amerikës. Një vend që për shumë kohë është parë si një shembull për ndërtimin e një shoqërie të lirë rrezikon të shihet vetëm si një fuqi që ndjek interesin e vet ekonomik.

Ka edhe një dukuri tjetër që shihet shpesh në Amerikë. Disa njerëz që sapo kanë ardhur emigrantë nga vende të tjera përpiqen të tregojnë se janë më “patriotë” se vetë amerikanët. Ata e shohin Amerikën vetëm përmes interesit të tyre të përditshëm. Për ta, politika ndërkombëtare reduktohet në një pyetje shumë të thjeshtë: sa kushton benzina për makinën e tyre. Nëse çmimi është i ulët, gjithçka u duket në rregull.

Në këtë mënyrë ata nuk mendojnë për pasojat që mund të kenë luftërat dhe ndërhyrjet ushtarake në vende të tjera. Nuk mendojnë për njerëzit e zakonshëm që jetojnë atje, për familjet dhe për fëmijët që preken nga bombardimet. Për ta kjo duket si diçka e largët dhe pa lidhje me jetën e tyre. Por pikërisht ky është problemi: kur gjithçka shihet vetëm nga xhepi personal, harrohet se pas çdo konflikti ka njerëz realë që paguajnë çmimin më të rëndë.

Amerikanët e vërtetë janë njerëzit e zakonshëm që punojnë çdo ditë dhe që përpiqen të jetojnë me ndershmëri. Ata nuk flasin shumë për patriotizëm, por e tregojnë atë në mënyrën si jetojnë. Ata respektojnë ligjin, respektojnë njerëzit e tjerë dhe besojnë se liria dhe drejtësia duhet të vlejnë për të gjithë. Për ta, Amerika nuk është vetëm një vend i fortë, por një vend që duhet të jetë i drejtë.

Këta amerikanë e kuptojnë se fuqia e vendit të tyre ka ndikim në gjithë botën. Ata nuk gëzohen kur luftërat sjellin fitime ekonomike. Ata mendojnë për njerëzit e zakonshëm në vende të tjera, sepse e dinë se edhe ata janë si ata vetë: njerëz që duan të punojnë, të rrisin fëmijët dhe të jetojnë në paqe. Për ta, Amerika është më e fortë kur udhëheq me shembullin e demokracisë dhe të respektit për jetën e njeriut.

Ky është kontrasti i madh mes dy Amerikave. Njëra e lidh patriotizmin me përfitimin dhe me pushtetin. Tjetra e lidh patriotizmin me përgjegjësinë dhe me shembullin që një vend i madh duhet të japë në botë.

Debati mes këtyre dy mënyrave të të menduarit vazhdon. Dhe ndoshta do të vazhdojë gjithmonë. Sepse pyetja mbetet e njëjtë: kur një politikan thotë “ne”, a flet për të gjithë amerikanët apo vetëm për një pjesë të tyre? Patriotët e vërtetë të Amerikës janë pikërisht ata që nuk bëjnë pjesë në atë që sot quhet me zë të lartë “Amerika e patriotëve”. Ata janë qytetarët e zakonshëm që nuk e përdorin patriotizmin si slogan politik dhe as si justifikim për çdo vendim të pushtetit. Ata e duan vendin e tyre në mënyrën më të thjeshtë: duke punuar, duke respektuar ligjin, duke mbrojtur liritë dhe duke bërë pyetje kur qeveria gabon. Për ta, dashuria për Amerikën nuk matet me flamuj në profilet e rrjeteve sociale apo me thirrje të zhurmshme nacionaliste, por me përgjegjësi qytetare dhe me kujdes për demokracinë. Në këtë kuptim, patriotët më të mëdhenj të Amerikës janë shpesh pikërisht ata që nuk e shpallin veten “patriotë”, por që çdo ditë mbajnë gjallë vlerat mbi të cilat u ndërtua vendi.