Gjithashtu Policia e Shtetit ka shkarkuar nga detyra edhe shefin e komisariatit nr.2 Ylli Doda. Masat janë marrë gjatë mbrëmjes së djeshme nga Policia, ku gjatë kontrollit surprizë, është vënë në pranga oficeri Roland Skënderi I cili po ndërtonte një lokal pa leje.
Inspektorati i Bashkisë kishte marrë njoftim për këtë ndërtim, por nuk kishte lajmëruar Policinë, por vetëm kishte pezulluar punimet me letra, ndërkohë që në terren oficeri I krimeve të rënda në Komisariatin nr.2 vijonte punimet.
Kanë qenë qytetarët ata të cilët kanë lajmëruar Policinë, ku më pas u zbulua se personi që po ndërtonte pa leje ishte një oficer i krimeve të rënda.
Oficeri i komisariatit ndërtonte pa leje
Vetëm dy ditë pas paralajmërimit të Haki Çako se ka nisur aksioni për kontrollin e territorit, është zbuluar një skandal në Komisariatin nr.2, ku vet oficeri i këtij komisariati ndërtonte pa leje.
Lejimi I këtij ndërtimi pa leje ka bërë që Haki Çako të firmosë edhe shkarkimit e shefit të komisariatit nr.2 Ylli Doda.
Gjithashtu u shkarkua shefi i policimit në komunitet, si dhe polici që mbulon zonën pranë Komisariatit nr.2. Policia e Shtetit thotë se ka filluar hetimi për policët e tjerë të Komisariatit nr.2 të cilët dyshohet se kanë marrë dijeni për ndërtimin pa leje që po bënte kolegu i tyre dhe që nuk kanë ndërhyrë.
Oficeri i krimeve të rënda te komisariati nr.2 Roland Skënderi do akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje ndërkohë që inspektori i bashkisë Shyqyri Gega akuzohet për shpërdorim detyre.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni "Ndërtimi 3"
Në zbatim të detyrave të dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për marrjen e menjëhershme te masave ndaj ndërtimeve pa leje dhe krimeve mjedisore, më datë 23.08.2017, në orën 23:30, nga Sektori për Krimin Ekonomiko Financiar në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SH.Ç.B.A), dhe Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit, si dhe me Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit “NDËRTIMI-3”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
1. Roland Skënderi, 40 vjeç, banues në Tiranë , me detyrë oficer policie për Krimet, në Komisariati i Policisë nr.2-Tiranë.
2. Shyqyri Gega, 50 vjeç, banues në Tiranë, me profesion Inxhinier Gjeolog, i punësuar si Inspektor i lartë tek IMT Bashkia Tiranë.
Proçedimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale “Ndërtim pa leje", dhe "shpërdorim detyre”, pasi më datë 23.08.2017, në vëndin e quajtur rr. Muhamet Gjollesha, pallati ML, shtetasi Roland Skënderi ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kopetente konkretisht një lokal bar kafe.
Sa më sipër nga ana e Inspektorit të Inspektoriatit Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morrën dijeni për këtë ndërtim pa leje nuk kanë nxjerr vendim për prishjen e tij por e kanë lejuar duke u mjaftuar me pezullim të punimeve dhe pa njoftuar policinë e shtetit për ndërtimin pa leje ku kanë sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të shtetasve (banorëve të pallatit), në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën penale “Ndërtim pa leje dhe shpërdorim detyre, prashikuar nga nenet 199/a dhe 248 e 25 Kodit Penal.
Gjithashtu nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe nga Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë marrë masa administrative për oficerët e policisë si më poshtë;
Shkarkim nga detyra për shefin e Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë.
U shkarkua nga detyra dhe ka filluar hetimi disiplinor për Shefin e policimit në komunitet, pranë komisariatit nr.2-Tiranë.
U shkarkua nga detyra dhe ka filluar hetimi disiplinor për Specialistin e policisë kriminale (që mbulon zonën), pranë komisariatit nr.2-Tiranë.
U shkarkua nga detyra dhe filloi hetimi disiplinor për Specialistin e policisë së rendit (që mbulon zonën), pranë komisariatit nr.2-Tiranë
Po në lidhje me këtë ndërtim pa leje nga (SH.Ç.B.A) janë kryer veprime proçeduriale penale mbi dyshimet për implikim të punonjsëve të policisë pranë Komisariatit nr.2, Tiranë, të cilët kanë marre dieni apo nuk kanë kryer detyrat funksionale sipas proçedurave standarte për ndrtimet pa leje. Materialet do ti referohen Prokurorisë së Rrthit Gjyqësor Tiranë për vlerësim të mëtejshëm.
Komisariati nr.2 në Tiranë
Redaksia Online
Er.K/D.T/Shqiptarja.com