Shoqëria koncesionare e cila po ndërton HEC mbi lumin Fan zotëron të gjitha lejet dhe licencat për ndërtimin e tyre, si dhe vepron në konformitet me legjislacionin shqiptar. Këtë fakt e thekson shoqëria “AYEN AS ENERGJI sh.a.”, nisur edhe nga zhvillimet e ditëve të fundit në Qafë-Mollë, pas reagimit të banorëve të zonës. Duke vënë theksin në faktin se “shoqëria koncesionare e përzgjedhur nga qeveria shqiptare për të ndërtuar HEC-et mbi lumin Fan të cilët parashikojnë të zgjidhin problemin prej disa dekadash të energjisë elektrike në Shqipëri”, shton se kjo shoqëri operon duke siguruar në të njëjtën kohë edhe mbrojtjen e mjedisit.
 
Në një deklaratë për shtyp, Fahrettin A. Arman shprehet se “Konflikti i filluar nga banorët e fshatit Qafë-Mollë, i cili vazhdon prej disa muajsh, është një konflikt që nuk i përket shoqërisë koncesionare, por që duhet zgjidhur ekskluzivisht midis banorëve dhe Shtetit Shqiptar. Shoqëria koncesionare, si çdo investitor i huaj dhe e bindur për nevojën e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, është duke ndërtuar një vepër madhore në interes të ekonomisë shqiptare. AYEN AS ENERGJI sh.a. ka shfaqur disponibilitetin maksimal ndaj banorëve të zonës me qëllim zgjidhjen e këtij konflikti. Ende sot, rezulton se prona mbi të cilën po ndërtohet HEC është një pronë shtetërore dhe shoqëria nuk ka as fuqinë, as pretendimin për tu shndërruar në institucion i cili mund të zgjidhë problemet e pronësisë. Megjithatë, si çdo vend europian, vetëgjyqësia dhe dëmtimi i vazhdueshëm i mjeteve të punës dhe personelit të shoqërisë nga ana e banorëve të fshatit është një akt i cili duhet dënuar rëndë”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)