TIRANE- Strategjia për prurjen e re energjetike nuk duhet të jetë në dëm të tokës bujqësore, të shëndetit mjedisor dhe në dëm të zhvillimit turistik.
 
Ekspertët e mjedisit deklaruan në konferencë për shtyp se pjesa më e madhe e HEC-eve janë në dëm të mjedisit dhe ujërave kurative.
 
Ambientalistët i kërkuan qeverisë të bëhet palë me ta, pasi HEC-et e pakontrolluara do të sjellin shkatërrimin e mjedisit shqiptar. Sipas tyre, segmente dhe fshatra të terë do të ngelen pa ujë të pijshëm për shkak të devijimit të ujit nga kompanitë e HEC-eve.
 
“Ne i grabisim ujin vetvetes në dobi të bujqësisë, në dobi të shëndetit të njerëzve, në dobi të shëndetit ekologjik. Në Shqipëri sot janë rreth 400 HEC-eku pjesa më e madhe e tyre bien dhe ngrihen mbi zona shumë të ndjeshme mjedisore, bien dhe ngrihen mbi zona me vlera shumë të lara turistike, me vlera shumë të çmuara kurative, madje deri në ato vlera gjeonatyrore, si kanione apo ujëvara.
 
Me të vërtetë Shqipërisë mund t’i duhet një prurje e re energjetike, por kjo kurrsesi nuk duhet të jetë në dëm të tokës bujqësore, në dëm të shëndetit mjedisor, në dëm të shëndetit turistik.
 
Prandaj ne kërkojmë që opozita që deri dje ishte palë me ambientalistët, sot është bërë palë me ata që projektuan këto HEC-e, kjo është e pafalshme për qeverinë e sotme, këto HEC-e po sjellin shkatërrimin e mjedisit shqiptar, ndaj ne i kërkojmë qeverisë. Sot segmente dhe fshatra të caktuar do të ngelen pa ujë për shkak të devijimit që kompanitë e HEC-eve bëjnë. Sasia që merr një HEC kundrejt lumit është 90 % e sasisë së prurjeve ujore kalon në drejtim të një tuneli të caktuar, për të prodhuar atë që quhet prurje energjetike”, tha ambientalisti Sazan Guri.
 
Ekspertet e mjedisit i kërkuan qeverisë rishikimin e strategjisë së zgjedhur për zhvillimin e energjetikës mbi bazën e hidrocentraleve të vegjël, pasi kjo strategji do të sjellë konflikte sociale, siç janë protestat e bujqve për mungesën e ujit për tokat bujqësore.
 
“Strategjia e zgjedhur nga qeveria për zhvillimin e energjetikës mbi bazën e hidrocentraleve të vegjël, është një strategji e zhvilluar në qarqe të mbyllura, e cila ka sjellë konflikte sociale, ku fshatarët bujqit dalin në protesta dhe kërkojnë ndalimin e punimeve në ato vende të pastudiuara”, u shprehen ekspertët.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)