Banorët e fshatit Kurdari në Klos kanë bllokuar sërish sot automjetet e subjektit “Global Interprise Group”, që synon ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës. Banorët pretendojnë se punimet po zhvillohen në kundërshtim me ligjin dhe pa miratimin e komunitetit, ndërkohë që prej muajsh ata kanë bllokuar disa herë kantierin për të penguar hapjen e kanalit dhe rrugëve të reja në zonën pyjore.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pas përplasjes së ashpër mes banorëve dhe administratorit të kompanisë, Ashim Doma, e cila u përshkallëzua në incidente fizike dhe verbale, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të policisë për të qetësuar situatën. Sot, në terren kanë mbërritur për inspektim edhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), të cilët kanë kryer verifikime lidhur me punimet.
Banorët shprehen se do të vazhdojnë rezistencën e tyre, duke mos lejuar asnjë mjet të kompanisë të kalojë në rrugën që të çon drejt kantierit. Ata kërkojnë që punimet të ndalen, duke theksuar se hidrocentrali rrezikon përroin e Lusës, ujin e pijshëm, tokat bujqësore dhe jetesën e qindra familjeve.
Tensionet janë shtuar pas vendimit të javës së kaluar të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, e cila rrëzoi kërkesën e banorëve për vendosjen e masës së sigurimit të padisë, që do të pezullonte përkohësisht punimet deri në përfundim të gjykimit për ligjshmërinë e projektit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, avokatja e banorëve, Dorina Prethi, theksoi se vendimi i gjykatës ka rritur ndjeshëm tensionin në terren dhe se komuniteti ndodhet në rrezik real për përplasje.
“Pasi i treguam gjykatës se banorët nuk janë dëgjuar dhe nuk janë konsultuar, pasi paraqitëm firmat e mbi 500 familjeve që kundërshtojnë ndërtimin e HEC ‘Doma’ në përroin e Lusës, dhe pasi vumë në dispozicion pamje filmike që tregojnë qartë një konflikt të mundshëm në terren, kërkuam pezullimin e punimeve deri në marrjen e një vendimi përfundimtar të gjykatës. Megjithatë, gjykata refuzoi masën e sigurimit, duke rritur më tej tensionin mes një grupi të madh njerëzish të cilëve nuk po u rrezikohet vetëm përroi por jeta”, shkroi ajo.
Banorët e Kurdarit kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat pa afat dhe se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të ndalur projektin, ndërsa procesi gjyqësor për ligjshmërinë e HEC-it “Doma” pritet të vazhdojë në seancën e radhës më 30 tetor në Gjykatën Administrative të Tiranës.
Komente










Duhet diversifikim jo vetem nga hidro , pra te behet ankand per gjeotermale (liqeni Neuron ne Leskovik) , te behet ndertim ne offshore ne det perballe ishmit apo zona perball Spilles ferma eolike ne det , ferma pastaj eolike ne mal ne 4 rajone V J L P dhe kryesisht malet e Nemerçke , Malet Zagori , Malet e Veri Lindje Pukes Shkoder etc. investim hapja tregut per panele per banesa ferma etc etc
Përgjigju