Bota e futbollit, por sidomos të pasionuarit pas Premier League, sytë do t’i kenë sot te dueli Manchester City-Arsenal, që pritet të vulosë çështjen e titullit kampion. Aktualisht Arsenal ka 6 pikë më shumë, por nëse City ia del diferenca do të shkojë në 3 pikë, ndërsa të besuarit e Guardiolës kanë edhe një ndeshje më pak.

Megjithatë fillimisht do të flasë fusha e Etihad duke nisur nga ora 17:30. Arsenal ka pendesën e humbjes në javën e kaluar kundër Bournmouth, por ndërkohë vuan edhe dëmtimet e disa lojtarëve. Trajneri Arteta ka konfirmuar se ylli Saka ka mbetur jashtë ekipit, ndërsa Madueke është rikuperuar, por ka pikëpyetje për minutat që do të marrë. Pas dëmtimeve vijnë edhe lojtarë të tjerë si Caliafiori, Odegard dhe Timber, ndërsa Merino ashtu si Saka ende nuk është rikuperuar.

Para supersfidës Arteta ka siguruar se nuk do të mendojë për asnjë sekond barazimin dhe do të hyjë në fushë vetëm për fitoren. Guardiola ndërkohë mendon se aspekti psikologjik do të jetë vendimtar kundër Arsenalit, ndërsa pranoi se shikon shpesh ndeshjet e ‘topçinjve’ të cilët këtë sezon janë kritikuar shpesh për lojën.

Arsenal, 13 herë kampion i Premier League, titullin e fundit e ka fituar në vitin 2004, ndërsa këtë sezon ka barazuar 1-1 në ndeshjen e parë kundër City-t dhe ka humbur 2-0 kundër ekipit të Guardiolës në finalen e Carabao Cup.