Nëse në vendet e tjera të rajonit ka një rritje me 4 për qind të këtyre kategorive përfituese nga pagesat, në vendin tonë kjo rritje ka qenë 8 për qind, ndërkohë që parametrat matës kanë qenë të njëjtë” ka theksuar Sula gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Sipas saj, në vendin tonë gjatë viteve të kaluara nuk raportohej për rritje të aksidenteve në punë, por ato mbeteshin në shifra konstante ndërkohë që numri i personave të cilët përfitonin pagesë paaftësie vinte në rritje nga viti në vit. Kjo rritje e numrit të personave përfitues nga pagesat, ka bërë që fondi i akorduar për kategoritë në nevojë të përfundojë dhe tashmë nevojiten edhe 2.8 miliard lekë për të shlyer të gjitha detyrimet e prapambetura për kategoritë në nevojë.
Nga ana tjetër në dhjetor të vitit që sapo lamë pas qeveria akordoi një fond shtesë prej 1.9 miliardë lekë për personat me aftësi të kufizuara, për të shlyer detyrimet e prapambetura. Por, marrja e këtij vendimi ka kthyer debat mes deputetëve të Komisionit të Punës, ku vetë kryetarja e komisionit ka theksuar se qeveria duhet të shlyente menjëherë të gjitha pagesat e prapambetura dhe jo vetëm një pjesë të tyre. “Ne jemi shumë dakord që të shkojmë në ndihmë të familjeve në nevojë, dhe ju si qeveri duhet të kishit bërë të gjitha pagesat kur keni siguruar të ardhurat nga administrata fiskale, dhe jo të rrisnit borxhin. Ishim të gjithë ne ata që nxitëm qeverinë për të kryer këto pagesa” ka theksuar Vokshi. ndërkohë që përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale kanë theksuar se do të kryhen të gjitha pagesat e prapambetura, ndërkohë që do të ketë një rishikim thelbësor të skemës.
“Ndryshimi i skemës do të ketë një lloj kategorizimi, dhe kemi ndërmarrë disa reforma. Në mars do të kemi një raport të saktë mbi masat, dhe sigurisht që do kemi dhe një planifikim. Por duke parë të shkuarën dhe buxhetin e mëparshëm do jetë e vështirë për të përballuar shpenzimet"-tha Enkeleda Lopari, këshilltare në Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Por, opozita e kundërshtoi këtë ndryshim në ligjin për buxhetin dhe deklaroi se kjo mënyrë e alokimit të fondeve reflekton mungesën e vëmendjes së qeverisë ndaj shtresave në nevojë dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë.
Por pavarësisht këtij kundërshtimi drejtuesit e Ministrisë së Mirëqenies Sociale kanë theksuar se ky fond tashmë ka shkuar në duart e familjeve në nevojë ku kanë përfituar pagesën 106.685 familje që janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe 150.166 presona me aftësi të kufizuar. Sa i përket rishikimit të skemës, për përfituesit kriteret duhet të jenë shumë të forta dhe vendimi nuk do të mbetet më në dorë të pushtetit lokal, por edhe të atij qendror në mënyrë që të ulen abuzimet. Kjo pasi, vetëm në 8 vitet e fundit numri i invalidëve është rritur me 50%, nga rreth 100 mijë persona me aftësi të kufizuar që kishte në vitin 2005, sot në Shqipëri janë 150 mijë invalidë.
Shkrimi u publikua sot (22.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)