Rreth 1500 familje në Vlorë do të përfitojnë nga paketa sociale pas situatës nga COVID-19. Shpërndarja ka nisur në të gjitha rajonet, ndërkohë pavarësisht apelit për të evituar radhët, banorët në vështirësi ekonomike dhe komuniteti rom kanë kërkuar që ndihmat t'i marrin në rajon edhe pse ndihmat do tu shkojnë në banesa.

Ka edhe nga ata banorë të cilët janë shprehur të pakënaqur me ndihmat që kanë marrë.

Nga një komunikim me bashkinë e Vlorës është konfirmuar se të gjithë personat në nevojë do të marrin ndihmë si dhe i bën apel banorëve që të mos qëndrojnë në radhë pasi pakot ushqimore do dorëzohen në çdo shtëpi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:19
Bashkia e Kukësit shpërndan 10 ton miell për familjet në nevojë

Edhe Bashkia e Kukësit vijon  të shpërndajë miell për rreth 4 mije familjet në nevojë te qytetit dhe fshatrave ne bashkëpunim me biznesin vendor. Granit Gjana, drejtor i zyrës se kabinetit tha sot se u shpërndan 10 ton miell nga ekipet e patronazhit te cilët kane shkuar pranë çdo familje në gjendje shumë të vështirë social-ekonomike.

Me herët për familjet në nevojë të 15 njësive administrative  u shpërndanë edhe 25 ton miell. Krahas ndihmës me miell familjet në nevojë nga Bashkia po ndihmohen edhe me pako ushqimore dhe medikamente. Ashtu si  edhe pensionistet. Bashkia u bëri apel qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi në respektim të rregullave për parandalimin e COVID-19, sepse është bashkia që kujdeset për ta.

Ora 13:53
Koronavirusi/ Arqipeshkvia metropolitane dhe Dioqeza Shkodër–Pult shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë

Arqipeshkëvia metropolitane dhe Dioqeza Shkodër–Pult janë solidarizuar me familjet në nevojë duke kryer shpërndarjen e pakove ushqimore.

Përmes famullive të çdo zone janë evidentuar familjet e varfra, pleq të vetmuar, persona me aftësi të kufizuar etj, që janë ndihmuar me pako që janë përllogaritur për një periudhë 2 javore.

Drejtori i Caritasit Shkodër–Pult dom Gjovalin Simoni thotë se kisha katolike në këtë kohë krezhme, kohë pendese, lutje dhe bamirësie, do të vijojë të jetë pranë këtyre shtresave.