Ndikimi i debatit për furnizimin e Kievit me avionë luftarakë tek uniteti i Perëndimit

Ndikimi i debatit për furnizimin e Kievit me avionë luftarakë tek uniteti i Perëndimit

Kërkesat e vazhdueshme të Ukrainës për avionë luftarakë për të ndihmuar në përpjekjet për zmbrapsjen e forcave ruse mund të rrezikojë unitetin e aleatëve perëndimorë të Kievit, mes frikës se kjo mund të përshkallëzonte më tej konfliktin gati njëvjeçar dhe do të tërhiqte Perëndimin në luftë. Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov mbërriti të martën në Paris, ku u takua me homologun e tij francez Sebastien Lecornu. Në takimet me zyrtarët francezë ai pritet të ngrejë edhe çështjen e furnizimit me avionë luftarakë.

Zyrtarët në Kiev u kanë kërkuar vazhdimisht aleatëve perëndimorë avionë luftarakë, duke thënë se avionët janë kritikë për të sfiduar epërsinë ajrore të Rusisë dhe për të siguruar suksesin e një kundërofensive në të ardhshmen, që mund të udhëhiqet nga tanket e premtuara së fundmi nga vendet perëndimore. Nuk ka shenja se një vendim për furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë mund të merret së shpejti, ose se vendet perëndimore kanë ndryshuar qëndrimin e tyre të mëparshëm për këtë çështje. Aleatët e Ukrainës kanë përjashtuar gjithashtu mundësinë e furnizimit të Kievit me raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat mund të godasin territorin rus, duke sinjalizuar një qëndrim të ngjashëm të kujdesshëm edhe për çështjen e avionëve luftarakë.

Ukraina dhe Rusia besohet se po ndërtojnë arsenalet e tyre për një ofensivë të pritshme në muajt e ardhshëm. Intensiteti i luftimeve ka rënë gjatë muajve të dimrit. I pyetur në lidhje me thirrjen e Lituanisë për vendet perëndimore që t'i ofrojnë Ukrainës avionë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kjo "pasqyron një qasje agresive të ndërmarrë nga vendet baltike dhe Polonia, të cilat janë të gatshme të bëjnë gjithçka për të provokuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës pa menduar për pasojat.”

“Është shumë e trishtueshme që udhëheqësit e vendeve të mëdha evropiane që drejtojnë axhendën evropiane nuk po ndjekin një rol më balancues ndaj pikëpamjeve të tilla ekstremiste”, tha zoti Peskov për gazetarët.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se Franca nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por shtoi se duhet të plotësoheshin disa kushte të rëndësishme para se kjo të ndodhte. Në mesin e këtyre kushteve janë edhe garancitë se dërgimi i avionëve nuk do të çonte në një përshkallëzim të tensioneve, se ata nuk do të "preknin territorin rus" dhe se dërgimi i tyre nuk do të "dobësonte kapacitetet e ushtrisë franceze", tha Presidenti francez Emmanuel Macron. Ai tha gjithashtu se Ukraina do të duhet t’i kërkojë zyrtarisht avionët, që mund të ndodh në takimin që zoti Macron do ta zhvillojë të martën në Paris me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov.

Pas disa muajsh bisedimesh, autoritetet ukrainase javën e kaluar bindën aleatët perëndimorë që të dërgonin tanket. Ky vendim erdhi pavarësisht hezitimit dhe rezervave të shfaqura nga disa vende anëtare të NATO-s, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë.

I pyetur nga Zëri i Amerikës të hënën nëse administrata e tij po shqyrtonte mundësinë e dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë, presidenti amerikan Joe Biden tha "jo". Zëvendës-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jon Finer tha në një intervistë për kanalin MSNBC javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të diskutonin çështjen e avionëve luftarakë "me shumë kujdes" me Ukrainën dhe aleatët. Kancelari Olaf Scholz u duk se kishte rezerva për mundësinë e furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë, duke sugjeruar të dielën se arsyeja për të gjithë diskutimin lidhur me këtë çështje mund të jetë e bazuar në "motivet politike të brendshme" në disa vende.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha të hënën se nuk ka "asnjë tabu" në përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën. Por ai shtoi se dërgimi i avionëve "do të ishte një hap tjetër shumë i madh ". Ashtu si në debatet e mëparshme mbi furnizimin e Ukrainës me armë, Polonia vazhdon të jetë një nga mbështetëset kryesore brenda Bashkimit Evropian të ndihmës ushtarake për Kievin. Polonia, Sllovakia dhe vendet baltike në krahun lindor të NATO-s ndjehen më të kërcënuara nga Rusia.

Presidenti i Kroacisë, një vend anëtar i NATO-s, ndërkohë, kritikoi vendet perëndimore për furnizimin e Ukrainës me tanke dhe armë të tjera të rënda. Presidenti Zoran Milanoviç tha të hënën se furnizimi me armë vetëm do ta zgjaste luftën. Më herët gjatë konfliktit, diskutimet ishin përqëndruar në mundësinë e furnizimit të Kievit me avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik, për drejtimin e të cilëve pilotët ukrainas janë të trajnuar. Në mars, Pentagoni hodhi poshtë propozimin e Polonisë për të transferuar avionët e saj luftarakë MiG-29 në Kiev përmes një baze amerikane në Gjermani, duke përmendur një rrezik të lartë për një përshkallëzim të tensioneve mes Rusisë dhe NATOs.

Avionët luftarakë perëndimorë do t'i ofronin Ukrainës një ndihmesë të madhe, por përballja me forcën ajrore masive të Rusisë, do të vazhdonte të ishte një sfidë e madhe për Kievin. Ukraina trashëgoi një flotë të konsiderueshme avionësh luftarakë të prodhimit sovjetik, duke përfshirë avionë luftarakë SU-27, MiG-29 dhe avionët SU-25. Kalimi në avionët perëndimor do të kërkonte që ekuipazhet ukrainase t'i nënshtroheshin trajnimeve të gjata dhe gjithashtu do të krijonte sfida logjistike që lidhen me mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre.

Rusia vuri në shënjestër bazat ajrore të Ukrainës dhe bateritë e mbrojtjes ajrore në fillim të konfliktit, por Ukraina i zhvendosi avionët e saj luftarakë dhe i fshehu pajisjet e rëndësishme të mbrojtjes ajrore, duke bërë që të dështonin planet e Rusisë për të marrë kontrollin e plotë të hapësirës së saj ajrore. Pas pësimit të humbjeve të mëdha në fillim të konfliktit, forcat ajrore ruse filluan të shmangnin operacionet në thellësi të territorit ukrainas dhe u përqendruan kryesisht në misionet mbështetëse përgjatë vijës së frontit. Forca ajrore ukrainase u përballën me sfida të ngjashme, duke u përpjekur të shpëtonin avionët e mbetur luftarakë nga goditjet e avionëve rusë dhe të sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Alibeaj iku nga grupi PD, çfarë duhet të bëjnë deputetët e tjerë pro Bashës?



×

Lajmi i fundit

'Spanjës t'i 'lexojmë' lojën', Ivan Balliu: Po u sollën mirë, i ftojmë në plazhet e jugut

'Spanjës t'i 'lexojmë' lojën', Ivan Balliu: Po u sollën mirë, i ftojmë në plazhet e jugut