Një pallat shumëkatësh i lidhur në mënyrë të paligjshme me rrjetin e furnizimit me energji elektrike është zbuluar në Shëngjin.

Një pallat shumëkatësh në Shëngjin të Lezhës ishte lidhur në mënyrë ta paligjshme me energjinë elektrike. Rasti u zbulua gjatë kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria Rajonale OSSH Shkodër, në bashkëpunim me Departamentin e Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve.

"Nga kontrollet e ushtruara u konstatua një objekt banimi (pallat shumëkatësh), i cili ishte lidhur në mënyrë të paligjshme me rrjetin elektrik të OSSH, duke shkaktuar dëm ekonomik ndaj shoqërisë" thuhet në njoftimin e OSHEE-së.

Pasi i është ndërprerë energjia elektrike, subjektin privat është proceduar në polici.

Ky nuk është rasti i parë. Vetëm pak ditë më parë një resort në zonën e Saukut u procedua penalisht pas denoncimit nga OSHEE për ndërhyrje në matësin e energjisë elektrike.Burimet zyrtare thanë se denoncimi u bë në vazhdim të kontrolleve për subjektet që abuzojnë me energjinë elektrike.

Resorti Tarracat në zonën e Saukut, sipas OSHE u konstatua se kishte kryer “ndërhyrje në matës”

OSSH bëri të ditur se ka intensifikuar kontrollet në terren, me qëllim reduktimin e humbjeve dhe disiplinimin e abonentëve.