Njëherësh ai thotë se janë në përfundim të negociatave për bashkimin e të gjithë demokristianëve nën siglën e PDK, duke lëvizur drejt qendrës së spektrit politik dhe duke thënë se PBDNJ e Dulës, në koalicion me Ramën, mund të jetë dhe aleati i parë në këtë spektër. Pikërisht qendra sipas tij duhet të përcaktojë balancat politike dhe të pushtetit në vend, dhe jo partitë e majta apo të djathta të spektrit poilitik shqiptar. Ndoka kërkoi nga Rama që në qeverisje të ketë përfaqësues të të gjithë aleatëve, ndërsa i bën thirrje për të zgjeruar bazën e qeverisjes për të prezantuar përpara shqiptarëve një qeverisje sa më përfaqësues dhe sa më efikase.
Partitë demokristiane janë të shpërndara në të gjithë spektrin e politikës shqiptare. Mendoni se dalja me një alternativë të vetme do të rriste peshën e tyre politike në Kuvend dhe më gjërë?
Një ndër detyrat kryesore të demokristianëve në Shqipëri është bashkimi mes tyre që të përfaqësojë një alternativë të vetme në Kuvend dhe në politikën shqiptare, për të zënë vendin që i takon, duke pasur parasysh dhe mbështetjen që ka në vend. Mbështetje që ka qënë vijushmërisht e lartë në të gjithë ballafaqimet elektorale. Dhe një bashkim i tillë detyrohet dhe nga Kodi Zgjedhor, për vetë faktin që një alternativë politike është më e fortë dhe më përfaqësuese e bashkuar se sa e ndarë. Këtë e treguan dhe zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të këtij viti, të cilat ishin një test domethënës për të gjitha partitë. Kështu që vlen si domosdoshmëri bashkimi i këtij faktori politik, i cili fillon sëpari me partinë Kristiandemokrate që përfaqësohet me një deputet të zgjedhur, në Kuvendin e Shqipërisë.
Kjo do të thotë që do të mbështesni dhe qeverinë e re të kryesuar nga Edi Rama, pasi Kristiandemokratët e Mark Frrokut kanë një mandat në Kuvend të marrë vetë me votat e tyre, në koalicionin e majtë të kryesuar nga PS...?
Unë jam shprehur dhe po shprehem sërish publikisht dhe përmes gazetës suaj të nderuar se, vota ime në Kuvend do të jetë pro ministrit të kabinetit të ri qeveritar, që përfaqëson këtë parti, pra Partinë Kristiandemokrate. Në këto kushte ajo që mund të them është se bashkimi i faktorit demokristian më Shqipëri, në një parti të vetme rreth siglës “PDK”, hap një epokë të re për demokristianët shqiptarë, sepse hap një debat politik që demokristianët shqiptarë duhet t’i drejtohen qendrës së spektrit politik në vend. Pasi nuk duhet të jenë partitë e majta apo të djathta ato që do të jenë përcaktuese të balancave politike dhe të pushteteve në vend, por duhet të jenë qendra ajo që do të përcaktojë balancën e pushtetit.
Po thoni se do të lëvizni drejt qendrës për të formuar një pol të tretë. Mendoni ndonjë parti tjetër që do të ketë këtë synim...?
Unë them me bindje se demokristianët e bashkuar nën siglën e Partisë Demokristiane do të lëvizin drejt qendrës së spektrit politik shqiptar, lëvizje që do të koordinohet dhe me parti të tjera politike, të cilat janë në spektrin e majtë apo të djathtë politik, në koalicionin e detyruar për shkak të Kodit Zgjedhor. Ne si PDK po përmendim një parti të cilën e shohim si më të mundshme për të lëvizur drejt qendrës së politikës shqiptare, ajo është Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. PBDNJ e shohim pra si një mundësi reale për të lëvizur drejt qendrës për të krijar një qendër politike me peshë të madhe në konfiguracionin politik shqiptar, por dhe në Kuvendin e Shqipërisë.
Ju jeni në negociata për bashkimin e të gjithë demokristianëve në një parti të vetme nën siglën e PDK. Deri ku keni arritur...?
Pa diskutim që kemi qënë në negociata të vazhdueshme për të arritur në bashkimin e të gjithë demokristianëve në një parti të vetme, nën siglën e PDK. Madje këto negociata janë drejt përfundimit dhe tashmë pritet të startojmë shpejt në veprimin konkret për të materializuar atë që kemi arritur. Kemi një peshë specifike në spektrin e politikës shqiptare dhe mbështetje për demokristianët vit pas viti ka ardhur duke u rritur. Nëse do të ishim bashkë, atëherë votat tona do të përktheheshin në mandate deputetësh, duke sfiduar në këtë mënyrë dhe penalizimin e Kodit Zgjedhor që nuk është në favor të partive të vogla. Bashkimi në një parti të vetme do të bëjë që zëri demokristin të dëgjohet më fort në politikë dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj jemi duke bashkëpunuar dhe negociatat kanë shkuar mirë e përfundimi i tyre është afër, duke arritur që në finale të kemi një Parti Demokristiane të vetme, në spektrin politik shqiptar.
Si e vlerësoni përgatitjen e të majtës në mazhorancë për të formatuar qeverinë e re të koalicionit, ndërkohë që tashmë kanë shpallur publikisht strukturën e re qeverisëse..?
E rëndësishme është që koalicioni i majtë fitues i këtyre zgjedhjeve parlamentare të ruajë ngjyrat e përfaqësimit dhe të pluralizmit dhe në qeverisjen e vendit, të cilën me votat e qytetarëve ka marrë përsipër ta realizojë në këtë mandat qeverisës. Në këtë këndvështrim unë them se koalicioni i majtë duhet të krijojë hapësira për të marrë përgjegjësi në qeverisje për të gjithë aleatët e vet, me të cilët ka qënë në opozitë, luftoi dhe arriti që të marrë mazhorancën për të qeverisur. Por njëherësh duhet dhe të zgjerohet baza e qeverisjes për të qënë një qeverisje sa më përfaqësuese. E them këtë sepse një zgjerim i bazës së qeverisjes do të minizonte dhe problemet që u vërejtën me deformimin e votës në këto zgjedhje, por dhe për vetë faktin se Kodi Zgjedhor siç e kemi theksuar gjithnjë nuk ka qënë fort “dashamirës” me partitë e vogla.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.07.2013
Redaskai Online
(b.m/shqiptarja.com)