Ndotja, Elbasanit i shtohen
edhe mbeturinat spitalore

Ndotja, Elbasanit i shtohen<br />edhe mbeturinat spitalore
Fantazma e ndotjes vazhdon ta ndjekë pa mëshirë Elbasanin. Pas metalurgjikut e fushës së plehrave, qytetit i shtohet së fundmi edhe helmimi nga mbetjet spitalore. Alarmi jepet nga drejtori i Agjensisë Rajonale të Mjedisit, Adi Madhi. Sipas tij, mbetjet spitalore nuk digjen në incenerator, por i bashkohen mbeturinave urbane duke rritur në mënyrë dramatike shkallën e ndotjes.
“Ndotjet që vijnë nga spitalet janë disa herë më toksike se sa mbeturinat urbane për shkak të medikamenteve dhe barnave që përdoren në mjekësi. Ilaçet nuk janë gjë tjetër veçse helme, të cilat përdoren në sasi të vogël për të mbytur mikrobet e sëmundjeve. Për pasojë, nëse sasi të mëdha të tyre bashkohen dhe hidhen pa asnjë kriter në plehra, atëherë pasojat merren me mend”, ka nënvizuar z. Madhi. Por nuk mbaron me kaq. Sipas drejtorit të shëndetit publik në Elbasan, dr. Bujar Kllogjri,mbeturinat spitalore kanë përqendrim të jashtëzakonshëm të viruseve dhe baktereve, indeve të dekompozuara dhe gjakut, të cilat provokojnë sëmundje infektive dhe parazitare. Nëse fakteve të mësipërme i shtojmë edhe maternitetin, atëherë nuk gjenden më fjalë për të treguar se në çfarë gjendje ndodhet mjedisi në këtë qytet.
Sipas udhëzimeve të veçanta të ministrive të Mjedisit dhe Shëndetësisë, mbeturinat spitalore duhet të digjen në incenerator të posaçëm për shkak të natyrës së veçantë dhe mjaft të rrezikshme të tyre. Në qendrën spitalore të Elbasanit ka ekzistuar një i tillë, por ai ndodhet jashtë funksionit dhe i përket teknologjisë së vjetër. Drejtoria e Shëndetit Publik, Agjensia Rajonale e Mjedisit dhe prefekti i Elbasanit premtuan se do të bëjnë përpjekje maksimale për instalimin e një krematoriumi të ri. Por deri në gjetjen e fondeve dhe ndërtimin e tij, mbetjet spitalore të Elbasanit do të vazhdojnë të bashkohen me mbeturinat urbane duke rritur në mënyrë trigonometrike ndotjen e mjedisit e cila do të ndikojë direkt në shëndetin e banorëve.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza