Ujërat e liqenit të Fierzës janë përballur sërish me ndotje të konsiderueshme këtë pranverë, një fenomen i përsëritur që shfaqet sa herë reshjet e dendura dhe erërat e forta përfshijnë zonën e Kukësit. Rritja e nivelit të ujit ka sjellë në sipërfaqe dhe përgjatë brigjeve tonelata mbetjesh urbane, plastike dhe materiale të tjera, duke krijuar një panoramë shqetësuese në basenin më të madh ujor të vendit.
Zona përballë fshatit Breglumë është ndër më të prekurat, ku mbeturinat e grumbulluara formojnë shtresa të dukshme ndotjeje. Sipas të dhënave, një pjesë e madhe e këtyre mbetjeve vijnë të transportuara nga rrjedhat e lumenjve që burojnë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por ndikim kanë edhe mbetjet e hedhura në disa njësi administrative brenda qarkut të Kukësit.
Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme nga Bashkia Kukës, e cila përdor një anije ekologjike për pastrimin e sipërfaqes së liqenit, situata përsëritet çdo vit në periudha me reshje intensive. Kjo tregon se problemi mbetet strukturor dhe kërkon bashkëpunim më të gjerë ndërkufitar, si dhe ndërgjegjësim më të lartë për menaxhimin e mbetjeve në të gjitha zonat që ndikojnë në pellgun ujëmbledhës të Fierzës.
Pastrimi i liqenit të Fierzës ka nisur gjatë ditës së sotme në zonën e Luginës së Drinit, ku ndërhyrja me anije ekologjike është fokusuar në largimin e mbetjeve urbane dhe plastike të sjella nga prurjet e fundit.
Sipas autoriteteve, aksioni pritet të zgjerohet edhe në bregun përballë fshatit Breg-Lumë në ditët në vijim, si pjesë e një plani më të gjerë për pastrimin e sipërfaqes ujore dhe mbrojtjen e mjedisit në këtë zonë.
Ndërkohë, Drejtoria e Shërbimeve Komunitare ka publikuar pamje nga operacioni në terren, ku shihet puna për heqjen e mbetjeve dhe përmirësimin e kushteve mjedisore.
Komente









