Ndrenika sfidon sëmundjen,rikthehet
në skenën e Teatrit të Metropolit

Ndrenika sfidon sëmundjen,rikthehet<br />në skenën e Teatrit të Metropolit
“Mendohu Xhakomino”, premiera me regji të Milto Kutalit do të rikthejë Robert Ndrenikën në Teatrin e Metropolit në Tiranë.
 
Kjo vepër e Luigji Pirandelos do të bashkojë artistët më të njohur të skenës si Marjana Kondin, Arben Derhemin, Klodjana Kecon e aktorë të tjerë.
 
Në konferencën për mediat, ku përmes provave u zbulua një pjesë e premierës, aktori Robert Ndrenika mungoi për shkak të një gripi.
Regjisori Milto Kutali shprehet se pavarësisht kësaj aktori i njohur po punon me rolin.

“Gripin e ka kaluar jashtëzakonisht keq që të jem i sinqertë, por megjithatë ai më thërriste në shtëpi dhe më thoshte hajde ta bëjmë provën në shtëpi. Mendoj që përkushtimi i tij dhe në të njëjtën kohë ajo që ai donte që të mund të ishte nuk ka të bëjë fare shëndeti në këtë mes, ai donte ta kryente këtë punë dhe po e kryen më së miri. Unë e shikoj profesor Bertin si një visar dhe si një diamant që duhet ta ruajmë me kujdes”, shprehet Milto Kutali.

Pjesëmarrjen e Robert Ndrenikës në këtë premierë e vlerëson edhe aktorja e njohur e humorit Marjana Kondi.

“Ai është një baba, një edukator dhe përveç Miltos që ka qenë regjisor ne kemi pasur edhe profesor Bertin që herë pas herë të mësonte dhe mësimi i tij ishte shumë inteligjent”, është shprehur Kondi.
 
Premiera “Mendohu Xhakomino” me pjesëmarrjen  veçantë të Robert Ndrenikës do të jepet më 8 shkurt.  

Jonida Beqo: Ndjesë publikut për shtyrjen e shfaqjes, vlejnë biletat

Vepra e njohur e nobelistit Luixhi Pirandelos “Mendohu Xhakomino” vjen për herë të parë në Shqipëri, në sallën “Çehov” datë 8 shkurt, ora 19:00. Premiera “Mendohu Xhakomino” me regji të Milto Kutalit dhe pjesëmarrje të veçantë të Robert Ndrenikës ishte planifikuar për në datat 3,4, e 5 shkurt. Por aktori kaloi një grip të rëndë dhe shfaqja do të ngjitet në skenë në datën 8 shkurt.
 
Drejtoria e Teatrit të Metropolit i kërkon ndjesë gjithë publikut dhe bën me dije se biletat e prera janë të vlefshme respektivisht për ditët e javës së ardhshme ku do të vijojë premiera në datat 10, 11, 12 shkurt. “Shkak i kësaj shtyrjeje janë shkaqe shëndetësore të aktorit të njohur, mjeshtrit të skenës, Robert Ndrenika dhe disa aktorë të tjerë të kastit të shfaqjes.”, pohojnë burime nga TM.
 
“Ne jemi të gjithë shumë të angazhuar dhe shumë të investuar në këtë projekt. Kemi treguar që nga fillimi i vitit 2016, se edhe në projekte të tjera të ngjashme si me shfaqjen “Tre dhëndurët” ku interpretoj znj. Hajrie Rondo se investimi ynë kryesor është tek NJERIU, është tek figurat të cilat kanë dhënë një kontribut shumë të gjatë në teatër dhe kinematografinë tonë, po aq edhe në talentet e reja.

Unë besoj se z. Ndrenika apo kushdo tjetër e meriton dy apo tre ditë mirëkuptimin si nga publiku, ashtu dhe nga institucioni, që të jetë në formën e vetë më të mirë, për punën e mirë që ka bërë . Unë si përfaqësuese kryesore e institucionit, do t’iu kërkoj mirëkuptim të gjithë atyre që kanë prerë biletat, se ne do ti respektojmë të gjitha prenotimet që janë bërë dhe ato të spostohen në javën në vijim, përkatësisht ata që kanë blerë biletën për të premten do të shohin shfaqjen të premten që vjen. Pra, premiera nuk do jetë në datën 2 shkurt sikurse ne e kishim lançuar por do të jetë në datën 8 shkurt, për t’i dhënë kështu mundësi jo vetëm z. Ndrenika por edhe disa aktorëve të tjerëve të stafit”,
shprehet Jonida Beqo, drejtoresha e Qendrës Kulturore Tirana, (Teatri Metropol).

Ndërsa regjisori Milto Kutali tha se “Ne ishim shumë të dëshiruar dhe të përgatitur shumë shpirtërisht, që shfaqja të ishte të enjten në datën 2 shkurt, ora 19:00, megjithatë ne I kemi bërë të gjitha gjërat gati, por profesorit të nderuar , i është rikthyer sërish temperatura dhe gripi, nga mbrëmë në darkë, duke e bërë të pamundur edhe daljen sot në konferencë për shtyp”.
 
“Mendohu Xhakomino” është një vepër e shkruar në 1917, aktuale dhe gjithëpërfshirëse edhe në ditët e sotme, duke pasur ngjashmëri me aktualitetin shqiptare. Është një vepër që flet për humanizmin njerëzor, për të cilin mjedisi shqiptar ka aq shumë nevojë. Pamundësia, paradokset ekzistenciale të individit, rolet e dyfishta, kriza e identitetit, etj, janë tematika që trajtohen në këtë vepër.

Në qendër të veprës “Mendohu Xhakomino”, është profesor Toti (Robert Ndrenika), një burrë rreth të 70-ve, i cili nuk ka krijuar familje, është human dhe sakrifikon veten për gjeneratën e re.

Ai bën një martesë fiktive me Liljanën (Paola Kodra), (vajzën e rojës së shkollës (Arben Derhemi)) e cila ka mbetur shtatzënë me Xhakominon (Amri Hasanlliu), një nga ish-studentët e preferuar të profesor Totit. Këtë akt human të profesor Totit nuk mund ta pranojë dhe ta kuptojë opinioni i gjerë duke filluar nga: drejtori i gjimnazit (Alert Çeloaliaj), prindërit e Liljanës (Marjana Kondi dhe Arben Derhemi), motra e Xhakominos (Klodjana Keco), si dhe kisha e përfaqësuar prej At Landolino (Redjan Mulla), madje dhe vetë Xhakomino nuk arrin të kuptojë altruizmin e Totit.

Profesori me durim dhe përkushtim i kundërvihet të gjithëve, pasi me të është e drejta humane. “Kjo sipërmarrje e profesor Totit, që është kryeprotagonisti i veprës ka disa ngacmime nga opinioni publik, nga ekzekutivi lokal, pasi nuk janë kaq të ndjeshëm sa ai, për t’i shërbyer gjeneratave. Mua më duket që është një nga shembujt më sinjifikativë që njerëzit duhet ta duan dhe duhet të bëjnë sa të kenë mundësi”, thotë Kutali.
 
Personazhet
Profesor Toti, (Robert Ndrenika) një burrë rreth të 70-ve, porfesor, human
Liljana (Paola Kodra) në të 17-tat, punon pastruese në shkollë
Xhakomino (Amri Hasanlliu), i dashuri i Liljanës
Çinkuemani (Arben Derhemi), Babai i Liljanës
Marjana, (Marjana Kondi) e ëma e Liljanës
Kavalieri (Alert Çeloaliaj), drejtori i shkollës
Rozaria Delizi (Klodjana Keco) motra e Xhakominos rreth të 40-ve
Filomena (Merita Dabulla) Shërbëtore
At Landolino (Redjan Mulla)
Nini (Ezra Vogli) djali i vogël 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

E bukur ishte jeta “gratis”

E bukur ishte jeta “gratis”