Botërori i Formula 1 gjatë këtij viti do të shënojë një rritje të numrit të makinave në pistë për herë të parë që nga viti 2017. Me hyrjen e Cadillac, numri total i makinave do të shkojë në 22, duke e çuar kampionatin në një format me 11 ekipe.

Sezoni i fundit kur Kampionati Botëror u zhvillua me 11 skuadra ishte viti 2016, kur Mercedes dhe Nico Rosberg shpalleshin kampionë bote. Cadillac nuk do të jetë e vetmja risi, pasi Audi do të debutojë gjithashtu në Formula 1, duke zëvendësuar ekipin Sauber.

Shtimi i një ekipi të ri sjell edhe ndryshime në rregullore, veçanërisht në formatin e kualifikimeve. Ashtu si në vitin 2016, nga sesioni i parë (Q1) dhe i dytë (Q2) do të eliminohen nga gjashtë makina, në vend të pesë siç ndodh aktualisht. Si pasojë, vetëm dhjetë pilotë do të garojnë për “pole position” në sesionin e tretë kualifikues.

Sistemi i pikëzimit mbetet i pandryshuar, me pikët që do të ndahen për dhjetë vendet e para. Megjithatë, me më shumë makina në garë, konkurrenca pritet të jetë edhe më e fortë, duke e bërë sezonin e ri veçanërisht sfidues për ekipet më të vogla, të cilat do të duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për të grumbulluar pikë të vlefshme.