Fundjava pritet të jetë vendimtare për përbërjen e qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se të premten dhe të shtunën do të zhvillojë takime me partnerët e koalicionit për të vendosur përfundimisht se çfarë do të përmbajë rikonstruimi i qeverisë, ose thënë ndryshe, kush do të largohet dhe kush do të mbetet në kabinet.

Ndërkohë, nga koalicioni shqiptar VLEN nuk ka ende detaje konkrete për emrat dhe resorët që mund të preken nga ndryshimet.

Zëdhënësi i VLEN-it dhe zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, tha se vendimet do të merren nga liderët e koalicionit në koordinim me kryeministrin.

“Sa i përket rikonstruimit detajet konkrete do t’i kemi të premten dhe të shtunën. Liderët janë ata që vendosin për performancën e funksionarëve. Por, ajo që dihet deri më tani është fakti që kemi dy pozita vakante që si VLEN duhet t’i plotësojmë, Ministria për Qeverisje të Mirë e Arben Fetait dhe Ministria e Politikës Sociale dhe Demografisë e Fatmir Limanit”, deklaroi Sulejmani.

Nga kjo deklaratë kuptohet se VLEN synon të mbajë Ministrinë e Politikës Sociale dhe Demografisë, por me një emër të ri pas largimit të Fatmir Limanit.

Një nga çështjet që po komentohet më shumë është edhe fati i ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu. Prej kohësh në media dhe në qarqe politike flitet për pakënaqësi mes VLEN-it dhe Aliut. Këto zëra janë forcuar edhe më shumë pas deklaratave të vetë ministrit, i cili nuk dha një përgjigje të prerë kur u pyet për raportet me koalicionin.

“Ali Ahmeti nuk e do VLEN-in të bashkuar, ne jemi bashkë që kemi pasur divergjenca të ndryshme, unë vazhdoj të jem ministër i VLEN-it”, tha Aliu.

Nëse Aliu do të jetë pjesë e paketës së ndryshimeve bashkë me Fatmir Limanin, kjo pritet të sqarohet pas takimeve të fundjavës. Përveç VLEN-it, ndryshime mund të ketë edhe te partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës.

Një nga emrat më të përfolur është ministri i Drejtësisë nga ZNAM, Igor Fillkov. Në media janë përmendur kritika për punën e tij në fushën e reformave në drejtësi, por kreu i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, ka deklaruar disa herë se është i kënaqur me performancën e tij dhe nuk sheh arsye për ta zëvendësuar.

Në listën e emrave që përmenden për lëvizje të mundshme janë edhe ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, si dhe zëvendëskryeministri dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Ivan Stoillkoviç.

Për Stoillkoviçin ka pasur diskutime të shumta muajt e fundit, ndërsa emri i tij është përmendur edhe në debatet që lidhen me ndikimin e të ashtuquajturës “Botë serbe” në rajon.

Për momentin nuk ka vendime zyrtare, por takimet e së premtes dhe të së shtunës pritet të japin përgjigje për ndryshimet që do të ndodhin në qeverinë e Mickoskit.

Pikërisht për këtë arsye, në mediat e Shkupit kjo e premte po cilësohet si një lloj “Black Friday” politik, ku për disa funksionarë mund të jetë ditë konfirmimi, ndërsa për të tjerë ditë largimi nga qeveria.