Ndryshime rrënjësore në skuadër dhe tre blerje cilësore. Këto janë dy kushtet e Pep Guardiolës për të qëndruar tek Manchester City. Teknikut spanjoll i mbaron kontrata me Manchester Cityn në verën e vitit 2021 por sipas mediave angleze spanjolli mund të braktisë pankinën e kampionëve të Anglisë në fund të këtij sezoni pasi ka një klauzolë në kontratë. Dhe në këtë pikë drejtuesit e Manchester City-t duhet t’i plotësojnë disa kërkesa që të evitojnë largimin para kohë të trajnerit të famshëm.
Vetë Pep Guardiola e ka mohuar ekzistencën e kësaj klauzole në kontratë por mësohet gjithashtu se trajneri ka kërkuar ndryshime radikale për të qëndruar në pankinën e City-t. Ndryshime që duhet të jenë si në përbërjen e skuadrës ashtu edhe në stafin teknik.
Gjithmonë sipas burimeve të mediave në ishull Guardiola kërkon tre blerje të reja verën e ardhshme dy mbrojtës dhe një sulmues. Cancelo i afruar gjatë verës nuk po shkëlqen dhe po ashtu edhe Leroy Sane mund të largohet për tek Bayern. 48 vjeçari kërkon të zëvendësojë edhe Mikel Artetën krahun e tij të djathtë që pritet të marrë drejtimin e Arsenalit. Sipas mediave favorit për të qënë zëvendësi i Guardiolës është Rodolfo Borrel./ Përgatiti Andi Kapxhiu
Komento