Pension edhe kur punoni
Të moshuarit mund të marrin pensionin edhe kur të vijojnë punën, por me një kusht. “Në çdo rast mund të përfitohet pagesa e çdo lloj pensioni për pensionistët që, pas daljes në pension, vazhdojnë punën, me kusht që të vazhdohet të paguhen kontributet. Lejohet pagesa e pensionit mujor të pleqërise për pensionistët pas daljes në pension punësohen ose vetëpunësohen në sektorin privat.
Pensionistët e punësuar ose vetëpunësuar në sektorin privat derdhin kontribut gjatë gjithë kohës që marrin pensionin. Nuk njihet vjetërsi pune, koha që pensionistët marrin pension. i siguruari që ka plotësuar kushtet për pension pleqërie të plotë, merr shtesë në masën 0.5% të pensionit të plotë, për çdo muaj që vazhdon të punojë dhe që paguan kontribute. Kjo shtesë nuk përfitohet kur i siguruari ka lidhur pensionin mujor dhe vazhdon të punojë duke paguar sigurime”, - thotë Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Llogaritja e pensionit
Pënsioni kur keni plotësuar të gjitha kushtet llogaritet në bazë të kontributeve që keni derdhur plus pensionin social. Përfitohet 1% e kontributeve të derdhura gjatë gjithë viteve duke shtuar dhe shumën prej 6750 lekë, duke u bazuar tek formula P=PS+SH, ku PS, është pensioni Social dhe SH, shtesa e sigurimeve që keni paguar.
“Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar, duke shtuar pensionin social”, - thuhet në ligjin për sigurimet shoqërore.
Pensioni para kohe
Gjithashtu skema e sigurimeve shoqërore parashikon edhe pension të reduktuar. Kushtet e përfitimit: a) Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, sipas tabelës së mësipërme; b) Nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar.
Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë: Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit.
Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj. Shëmbull: Nëqoftëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 % (që del nga prodhimi i 20 (muaj) që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 06 %, që është koeficienti i miratuar).
d.c./shqiptarja.com

VIDEO










