Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e projektit të ri të ndryshuar të hyrjes së Tiranës në Unazën e Re, i cili në përfundim pritet që të lehtësojë trafikun, duke e liruar këtë nyje të rëndësishme dhe tejet të ngarkuar. Sipas Kryeministrit, ky projekt do të jetë në harmoni të plotë edhe me mjedisin urban.

Me këtë projekt të ri të hyrjes së Tiranës në Unazën e Re, që reflekton nevojën për të ndërhyrë në atë nyje tejet të rëndësishme dhe të ngarkuar, duke garantuar një qasje më miqësore me mjedisin urban, ju uroj një të diel të bukur”, shprehet Kryeministri duke publikuar edhe pamje nga projekti i ri.

Në dhjetor të vitit të kaluar projekti i lotit të parë që kushtonte 20 milionë euro nga 40 në total që shkonte projekti të Unazës së Re u anulua në mënyrë të njëanshme nga pala shqiptare pas konfirmimit nga autoritetet amerikane se kompania fituese Dunwell Haberman Albania ka falsifikuar bilancet me të cilat është paraqitur në tender.  Pas këtij vendimi, po në dhjetor Autoriteti Rrugor Shqiptar rihapi tenderin për ritenderimin e ndërtimit të mbikalimit tek sheshi “Shqiponja”, që u prezantua të enjten.

Projekti ka ndryshuar dhe tashmë nuk parashikon mbikalim te sheshi Shqiponja, por vetëm një nënkalim duke ulur kostot, pasi i pari shkonte 20 mln euro. Ekspertët e bashkisë së Tiranës nuk dhanë shifër sa do të kushtonte, por u shprehën gjatë prezantimit të projektit se objektivi është që të mbetemi brenda tavanit financiar që ishte parashikuar.