Personat me shtetësi të dyfishtë britanike janë paralajmëruar se pas datës 25 shkurt mund t’u refuzohet hipja në avion, traget apo tren drejt Mbretërisë së Bashkuar, nëse nuk paraqesin një pasaportë të vlefshme britanike.

Paralajmërimi është bërë nga Ministria e Brendshme britanike, pas ankesave të shumta nga qytetarë që jetojnë ose udhëtojnë jashtë vendit dhe që rrezikojnë të mos lejohen të hyjnë në territorin britanik.

Çfarë ndryshon nga 25 shkurti?

Nga kjo datë, të gjithë udhëtarët që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të kenë një leje udhëtimi, përveç shtetasve britanikë dhe irlandezë. Vizitorët për qëndrime të shkurtra duhet të aplikojnë për një Autorizim Elektronik Udhëtimi (ETA), i cili kushton 16 paund.

Megjithatë, për personat me shtetësi të dyfishtë, rregullat ndryshojnë: ata do të duhet të paraqesin pasaportën britanike për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar. Nëse nuk e kanë, nuk do të mund të përdorin vetëm pasaportën e shtetësisë tjetër.

Në mungesë të pasaportës britanike, ata duhet të aplikojnë për një “certifikatë të së drejtës”, e cila bashkëngjitet në pasaportën e shtetësisë së dytë. Kostoja e këtij dokumenti është 589 paund.

Ndryshimi ka shkaktuar reagime, pasi shumë qytetarë e konsiderojnë tarifën të lartë dhe procedurën të ndërlikuar, sidomos për ata që jetojnë jashtë Mbretërisë së Bashkuar dhe nuk përdorin rregullisht pasaportën britanike