Ndryshon ligji/ Nga tradhtarët tek spiunët, personat që s’do shpallen dëshmorë

Të gjithë personat e dënuar për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për bashkëpunim me shërbimet e huaja kundër interesave të Shqipërisë, për veprimtari terroriste, për krimet kundër njerëzimit si dhe për vrasje me dashje nuk do të përfitojnë më statusin e ‘Dëshmorit të Atdheut’. Për rrjedhojë, as familjarët dhe pasardhësit e tyre nuk do të gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Kështu parashikon projektligji i ri për statusin e Dëshmorit të Atdheut, i depozituar në Kuvend nga qeveria. Kriteret përjashtuese përcaktohen në nenin 6 të projektligj.

Ndërkaq, nisma ligjore nuk do të ketë efekt prapaveprues, çka do të thotë që të gjitha dekretet/vendimet e organeve shtetërore për shpalljen “Dëshmor”, të marra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk janë objekt rishikimi. Ligji nr. 8607, dt 27.4.2000 “statusi i dëshmorit të atdheut”, i ndryshuar në vitin 2004 dhe në vitin 2006, nuk parashikonte asnjë kategori përjashtuese për marrjen e statusit të Dëshmorit të Atdheut. Ligji i ri për Dëshmorët e Atdheut vjen në një kohë kur në Shqipëri vijon ende debati sa i takon rolit të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy grupet politike akuzohen për bashkëpunim me pushtuesin, ndërsa Balli dhe Legaliteti akuzojnë drejtuesit e luftës partizane për vëllavrasje dhe luftë civile. Edhe më i mjegullt është debati për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja armiqësore në Shqipëri. Dosjet me spiunët e pretenduar të shërbimeve të huaja jo partnere, të cilat kanë punuar dhe punojnë kundër interesave të Shqipërisë, janë zhdukur në vitin 1997.

Për zhdukjen e tyre është denoncuar në Prokurori një ish-punonjës i ambasadës shqiptare në Belgjikë. Denoncimi është bërë nga ish-kryetari i komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë në raport me Sigurimin e Shtetit dhe të shkuarën komuniste, Nazif Bezhanit. Nga 73 disqe që janë vjedhur dhe zhdukur, 56 kanë qenë me informacione që përfshinin politikanë dhe pushtetarë të lartë si agjentë të shërbimeve të huaja.

Faksimile e pr-ligjit

Qëllimi i projektligjit
Qëllimi i projektligjit është shpallja ose njohja e statusit “Dëshmor i Atdheut” personave, të cilët, me akte të rralla patriotizmi, vetëmohimi dhe heroizmi të jashtëzakonshëm, kontribuan në luftën për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar të Shqipërisë deri në dhënien e jetës, si dhe të personave, që kanë dhënë e japin jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, të interesave kombëtare shqiptare dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit ndaj jetës së individit, mbrojtjes së pronës publike, si dhe në raste fatkeqësish natyrore, në ndihmë të popullsisë. Nëpërmjet nismës ligjore synohet të përcaktohen qartë kriteret dhe procedurat për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe të drejtat dhe përfitimet që rrjedhin nga ky status.

Përfitimet
Familjet e Dëshmorëve të Atdheut gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Ato përfitojnë shpërblim financiar mujor. Me një vendim të vitit 2015, qeverisa ka rritur shpërblimin financiar për familjet e dëshmorëve nga 5 mijë lekë që ishte në 7 mijë lekë në muaj. Aktualisht mësohet se përfitojnë shpërblim financiar mujor rreth 400 familje të Dëshmorëve të Atdheut. Por, me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit të ri, i cili zgjeron kategoritë që përfitojnë statusin e dëshmorit, numri i familjeve pritet të rritet. Nisma e qeverisë parashikon 22 kategori që përfitojnë statusin, ndërsa në ligjin aktual, i miratuar në vitin 2000, parashikon 10 kategori.

Nuk marrin statusin e Dëshmorit të Atdheut
1. Të dënuarit për krime kundër njerëzimit;

2. Bashkëpunim me pushtuesit e vendit;

3. Veprimtari terroriste dhe agjenturore kundër interesave të Shqipërisë;

4. Vrasje me dashje, pas datës 9 maj 1945.

Dokumentet për shpalljen ose njohjen e statusit
1. Për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” vlejnë si burime parësore dokumente të organeve publike, të krijuara në kohën e ngjarjes dhe, si burime dytësore, botimet me karakter historik, folklorik, publicistik e manuale biografike, të cilat shprehen për ngjarjen.

2. Për njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” vlejnë dekretet/vendimet e organeve shtetërore të mëparshme për shpalljen “Dëshmor”, si dhe, në mungesë të tyre, vetëm burimet parësore, sipas pikës 1, të këtij neni.

3. Llojet e dokumenteve, që paraqiten për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe kushtet teknike të plotësimit të tyre përcaktohen me udhëzim të kryetarit të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”.

8 ndryshimet që sjell projektligji i ri për Dëshmorët e Atdheut
1. Janë zgjeruar kriteret që duhet të plotësohen për shpalljen apo njohjen e Statusit “Dëshmor i Atdheut”.

2. Janë përjashtuar nga dhënia ose njohja e statusit “Dëshmor i Atdheut”, personat që janë dënuar me vendime gjykate të formës së prerë, për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari terroriste dhe agjenturore kundër interesave të Shqipërisë si dhe për vrasje me dashje, pas datës 9 maj 1945.

3. Është zgjeruar lista e dokumenteve që janë të vlefshme për të kërkuar shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”.

4. Është zgjeruar dhe rrethi i autoriteteve publike (shtuar dhe Këshillin Bashkiak) ku mund të bëhet kërkesa nga familjarët për shpalljen “Dëshmor i Atdheut”, kjo për t’u ardhur në ndihmë familjarëve të dëshmorëve.

5. Po ashtu, për të përshpejtuar procedurën, ndër subjektet që mund të kërkojnë shpalljen e një personi “Dëshmor i Atdheut” është shtuar dhe institucioni i “Ministrit”, i cili nënkupton ministrin përgjegjës të institucionit ku ka shërbyer personi që kërkohet të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Gjithsesi, iniciativa e tyre është e kufizuar vetëm për disa raste (kryesisht kur personi që kërkohet të shpallet “Dëshmor i Atdheut” ka rënë për shkak të kryerjes së detyrave ushtarake ose policore).

6. Janë rishikuar disa dispozita, duke përmirësuar mënyrën e nderimit të “Dëshmorëve të Atdheut” si dhe mënyrën e menaxhimit të Varrezave të Dëshmorëve dhe të objekteve në nderim të tyre.

7. Është parashikuar mbështetja dhe nxitja e veprimtarive të organizatave, të cilat kanë si objekt të veprimtarisë së tyre Dëshmorët e Atdheut.

8. Së fundmi, në lidhje me familjen e Dëshmorit të Atdheut, janë bërë disa ndryshime, të cilat mundësojnë zgjerimin e rrethit familjar për efekt nderimi (jo për trajtim financiar), duke shtuar prindërit e prindërve, bashkëjetuesin/bashkëjetuesen, njerkun/njerkën, thjeshtri/thjeshtrën, si dhe nipërit dhe mbesat e dëshmorëve të atdheut.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 15/11/2018 12:39

    Edhe hamit matjani ka qen agjent i sherbimeve te huaja dhe ka ber terror ne dumre e lushnje po jari i nishanajve e beri hero te demokracis

    Përgjigju
  • Tralala zura nje gale: 15/11/2018 08:25

    Edhe Mit'hat Frasheri ka bashkepunuar me nazi-fashistet por ju e nderuat si hero dhe patriot

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave