Skema e Pensioneve ka rezultuar deficitare, që kur ka hyrë në fuqi skema e re në vitin 2015, dhe për shkak të kontributeve të pamjaftueshme për të paguar pensionistët, diferenca mbulohet me buxhet të shtetit. Gjatë këtij 10-vjeçari janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 2.5 miliardë euro për të shlyer të gjitha pensionet mujore.
“Skema e 2015-ën nuk funksionoi. Ajo nuk po i ndihmon pensionistët tanë. Po zgjat pafundësisht vjetërsinë në punë, së dyti nuk arriti të shtojë kontributet dhe së treti nuk kemi ende një skemë të detajuar për pensionet private”, tha Çoçoli.
Por pse ky deficit kaq i lartë? Faji është i skemës, i ekonomisë apo i informalitetit?
Eksperti i Ekonomisë Fatos Çoçoli thotë në Report TV se pjesa më e madhe e fajit i takon trukimit të pagave apo më saktë nëndeklarimit të rrogave.
“Për të tri këto arsye. Faji kryesor është tek informaliteti. Është krim ekonomik të trukosh pagesën e sigurimeve shoqërore, kemi deri 150 milionë euro që i mungojnë kësaj skeme vetëm nga trukimi i pagave. Rreth 60% e fajit qëndron tek informaliteti dhe nëndeklarimi i pagave. Faji i dytë është i ekonomisë që nuk po ndalon informalitetin dhe faji i tretë është i vetë skemës. Skema nuk është një levë çudibërëse, por ndihmon kur është e ndërtuar për zgjuarsi. Subvencioni është gjobë që paguan buxheti i shtetit sepse ajo duhet të jetë vetë-funksionuese, dhe tu garantojë pensionistëve pensionin që duhet të kenë. Kjo skemë nuk ka qenë efektive, janë 2.5 mld euro ‘gjobë’ ndaj buxhetin, dhe duhet me patjetër skema të ndryshojë.
Hendeku në deficit pritet të thellohet edhe më shumë në vitet që vijnë për shkak të emigrimit, rënies së lindshmërisë dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Sot kontribuojnë 117 qytetarë për të paguar 100 pensione, ndërsa deri në fund të kësaj dekade pritet të ulet në 114 punonjës, që do të thotë se do të duhen më shumë para nga buxheti i shtetit për të paguar pensionistët.
Për shkak të viteve të pamjaftueshme të siguruara dhe kontributeve të ulta, ku rol thelbësor negativ ka nëndeklarimi i rrogave, pensionet në vend ende janë të ulta, dhe 55% e tyre janë të pjesshme.
Lajmi kryesor:
Propozimet për skemën e re/ Preket formula e llogaritjes së pensionit, të rritet mosha dhe hiqen përfitimet suplementare! Ekspertët: Me pagat e nëndeklaruara po bëhet krim











