Për dekada me radhë, Shqipëria kryesoi Europën si një prej vendeve me popullsinë më vitale dhe më të re në kontinent, por të dhënat më të fundit nga Eurostat për vitin 2025 tregojnë se Shqipëria ka pësuar ritmet më të larta të plakjes, me një moshë mediane 44.3 vite në 2025, shumë afër mesatares europiane prej 44.9 vitesh. Në 2015-n, mosha mediane (që ndan popullsinë përgjysmë) ishte 34.7 vjeç.
Kjo do të thotë që në 2025-n, gjysma e popullsisë ishte nën 44.3 vjeç, ndërsa 10 vite më parë Shqipëria ishte shumë më e re, me gjysmën e popullsisë që ishte më e re se 34.7 vjeç.
Teksa Europës iu deshën disa dekada të kalojë në një etapë plakjeje të popullsisë, Shqipëria e ka pësuar këtë transformim brenda vetëm një dekade, pasi nga viti 2015 në 2025 mosha mediane në vendin tonë u rrit me 9.6 vite, ritmi më i lartë në kontinent, teksa mesatarja europiane këtë periudhe ishte 2.1 vite.
Me këtë ecuri, vendi ynë ka humbur avantazhin e tij demografik duke u plakur 5 herë më shpejt se Europa në 10 vite. Ritmi i plakjes është aq i shpejtë, gati dyfish më i lartë se në Moldavi, e cila u plak me 5.6 vite në të njëjtën periudhë krahasimi.
Nga krahasimi i të dhënave, Shqipëria ka lënë pas mjaft vende që dikur konsideroheshin shumë më të vjetra se ne. Sot, ne kemi një popullsi me moshë mesatare identike me atë të Çekisë dhe Lituanisë, dy vende që prej vitesh përballen me kriza të thella demografike.
Edhe më alarmant është fakti se Shqipëria rezulton tashmë më e plakur se fqinjët e saj të afërt në Ballkanin Perëndimor; ndërsa Shqipëria shënon 44.3 vjeç, Maqedonia e Veriut mbetet në kufijtë e 42.1 viteve dhe Mali i Zi në 40.4 vjeç.
Procesi i tkurrjes dhe plakjes në Shqipëri po ndodh me një ritëm shumë më agresiv se te fqinjët tanë. Pasojat e këtyre zhvillimeve pritet të jenë të rënda për ekonominë kombëtare. Një popullsi me moshë mesatare 44.3 vjeç do të thotë më pak krah pune aktiv, më pak inovacion në treg dhe një presion të fortë mbi skemën e pensioneve dhe sistemin shëndetësor.
Nëse politikat shtetërore nuk arrijnë të frenojnë largimin e të rinjve dhe të nxisin krijimin e familjeve të reja, vendi rrezikon të hyjë në një cikël ku pleqëria do të jetë karakteristika kryesore e shoqërisë, duke e bërë objektivin për rritje ekonomike të qëndrueshme gjithnjë e më të vështirë për t’u arritur.
Më 1 janar 2025, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.9 vjeç. Midis viteve 2015 dhe 2025, mosha mesatare u rrit në të gjitha vendet anëtare të BE-së, përveç Maltës dhe Gjermanisë, ku ajo ra (të dyja me -0.4 vite).
Si rezultat i ndryshimeve demografike, përqindja e njerëzve në moshë pune në BE po zvogëlohet, ndërsa numri relativ i atyre që dalin në pension po zgjerohet. Pjesa e të moshuarve në popullsinë totale pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme./Monitor
Komente











Gje normale tere jeten te jetosh ne nji qeveri te koruptuar dhe hajdutesh jo vetem plakesh shpejt por dikujt i dalin mendet,ose vetvrasje ose ike nga vendi.
Përgjigju