Shqipëria është gati të mbyllë 3 kapitujt e parë të integrimit, një ndër hapat më domethënës në rrugën drejt Bashkimit Europian. Është shefi i qeverisë Edi Rama që ka bërë me dije se më 14 korrik, në Bruksel do të zhvillohet Konferenca e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Shqipëria konsiderohet se është njësuar plotësisht me standardet e evropiane për kapitujt 25-26 dhe 30, konkretisht për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe Kulturën si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.

Kryeministri Rama ironizoi deklaratat e opozitës për bllokim të negociatave, duke shkruar se puna e tyre janë llafet, ndërsa ‘fjala e Qeverisë është puna’.

"SHQIPËRIA NUK NDALET

Thanë negociatat u bllokuan;

thanë Samiti i NATOS u anullua;

thanë qeveria u rrëzua;

thanë ç’nuk thanë e gjë pa thënë s’do lenë, sepse puna e tyre janë llafet ndërsa FJALA JONË ËSHTË PUNA", shkruan Rama. 

Kryeministri e ka shoqëruar postimin me një poster me flamingo, të kthyera në simbolin e protestës që nisi fillimisht për të kundërshtuar ndërtimin e resortit në Zvërnec.

 

Drita jeshile për mbylljen e kapitujve

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (COREPER) dha dritën jeshile për mbylljen e negociatave për tre kapitujt e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Sipas Qeverisë, ky vendim përfaqëson një vlerësim të qartë politik nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në reformat dhe transformimin europian dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit, si dhe konfirmon besimin në kapacitetin e vendit për të përmbushur me sukses kriteret për anëtarësimin në BE dhe zhvillimin e aftësisë për të qënë anëtar i familjes europiane.

Qeveria thekson se miratimi nga COREPER afirmon rezultatet konkrete të reformave të ndërmarra në vite, nivelin e avancuar të përafrimit me Acquis-in e Bashkimit Europian dhe angazhimin e palëkundur të institucioneve shqiptare e të gjithë aktorëve për avancimin e Agjendës Europiane Shqipëria 2030.

Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.

Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit e formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturën, si dhe progresin me përafrimin drejt objektivave europiane të arsimit.

Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”. Nëpërmjet përafrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria dëshmon gatishmërinë dhe kontributin e saj në forcimin e rolit të Bashkimit Europian.

Konferenca Ndërqeveritare e 14 korrikut 2026 në Bruksel, shënon mbylljen provizore të negociatave për anëtarësim të 3 kapitujve, duke çuar Shqipërinë tre hapa para drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

Qeveria thekson po ashtu se vendimi i sotëm i COREPER përbën një sinjal të fortë politik të mbështetjes së Bashkimit Europian për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane dhe konfirmon se reformat, transformimi i institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë, mbi themele të konsoliduara të Shtetit të së Drejtës.

Postimi i Kryeministrit Edi Rama