TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, në arrest shtëpie për aferën Partizani, ka thyer sërish masën e sigurisë. Kësaj radhe, Berisha ka pritur në banesën e tij në rrugën ‘Mustafa Matohiti’, ish-deputetin e Kosovës Gani Geci, një personazh me dritëhije në Prishtinë, i dënuar për vrasje. 

Më 4 qershor 2021, Gani Geci ishte shpallur fajtor nga Gjykata themelore e Mitrovicës për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gushtin e vitit 2014. Geci ishte dënuar me 3 vite e gjysmë burg dhe është liruar nga qelia më 31 maj 2024. 

Vetë Berisha nuk ka publikuar asnjë foto, por Gani Geci ka zbuluar takimin përmes një postimi në Facebook, teksa ka ndarë foto me ish-kryeministrin nga shtëpia dhe shkruan: "Lufta ka një ligj me vetëm dy nene: Neni 1) Kurrë mos u dorëzo. Neni 2) Mbaje mend të parin. Salih Berisha nuk dorëzohet kurrë! Sot ishim në takim me kryetarin njëherit edhe kryetari historik i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Z. Sali Berisha.

Takimin na e mundësoi Z. Agim Rexha, kryetar nderi i Shoqatës Pan-Shqiptaro-Amerikane VATRA në Amerikë. Bashkë me ne ishin Adnan Merovci, Hysen Ibrahimi, vëllai im Fadil Geci, dhe unë, Gani Geci.

Folem gjerë e gjatë për rrjedhën historike të ngjarjeve në Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë që nga viti 1991 deri më sot. Z. Berisha, faleminderit për pritjen edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme! Ju jeni frymëzim i qëndresës për qindra mijëra shqiptarë."

1723577386_berisha.jpg

1723577556_berisha.jpg

Me rreth të kuq, ish-deputeti i Kosovës, Gani Geci, i dënuar për vrasje në banesën e Berishës

Në takim ishte edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Londër, Mal Berisha. Edhe ky i fundit ka ndarë foto dhe shkruan se “burrat e mëdhenj të Kosovës nuk e harrojnë kurrë Prof. Dr. Sali Berishën, njeriun që mbi gjithçka vuri çështjen e Kombit Shqiptar dhe çlirimin, ndërtimin e shtetit, njohjen e pavarësisë dhe demokratizimin e Republikës së Kosovës”.

1723577786_teftuarit.jpg

Mal Berisha, Gani Geci dhe personat e tjerë që takuan Berishën në selinë e PD

Për ish-kryeministrin, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit të shkuar ky takim përbën edhe një shkelje të urdhër-arrestit që gjykatat në vend kanë lënë në fuqi për të. Kjo nuk është hera e parë që Berisha thyen urdhër-arrestin duke zhvilluar takime në banesë, ndonëse sipas masës së sigurisë që është në fuqi, nuk do duhet të takojë persona të tjerë përveç familjarëve.

Shkelja e parë e masës së sigurisë ishte kur Berisha priti në shtëpinë e tij gazetarët e RAI 3, të cilët e bënë pjesë të dokumentarëve investigativë që publikuan për qeverinë Rama.

Më pas një vizitë e ish-eurodeputetit gjerman të CDU-së, Elmar Brook pasoi më 14 maj, me këtë të fundit që nga dritarja e shtëpisë së kryeministrit mbajti edhe një fjalim për protestuesit në “Rrugicën e Shpresës”.

Në fillim të muajit korrik, Berisha priti në banesë ish-kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu dhe bashkëshorten e tij, me imazhet që u shpërndanë nga stafi i këtij të fundit.

Kush mori pjesë në takimin me Berishën?

Mal Berisha, ish-ambasadori i Shqipërisë në Londër

Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, “VATRA”.

Adnan Merovci, bashkëpunëtori më i afërt i Themeluesit të Shtetit të Kosovës dhe sot, biografi i Dr. Ibrahim Rugovës;

Fadil Geci, bashkëpunëtor i Dr. Ibrahim Rugovës, Luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-Deputet i Parlamentit të Kosovës;

Gani Geci, ish-Deputet i Parlamentit të Kosovës, i dënuar për vrasje

Hysen Ibrahimi, ish Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë.