Armando Broja shënoi golin e parë me fanellën e Chelsea. Blutë e Londrës fituan në "Stamford Bridge" 3-0 me Wolves për javën e 10 në Premier League.
21-vjeçari i Kombëtares kuqezi shënoi golin e tretë në minutën e 90 të ndeshjes. I emocionuar pas golit të parë me ekipin e tij, Broja tregoi pas ndeshjes se është në një nga klubet e mëdha dhe e di se ka shumë konkurrencë për minutat jo të shumta që ka marrë.
"Është gjithmonë pritje kur ata kontrollojnë për një pozicion jashtë loje të mundshëm. Unë kryqëzova gishtat por mendoja se e kisha llogaritur vrapimin mirë. Faleminderit tifozëve për mbështetjen, është e pabesueshme. E kam pritur golin tim të parë, është një moment i jashtëzakonshëm, nuk di ta shpreh me fjalë. Tani shohim drejt të martës në Champions. Ishte një paraqitje e mirë. Të gjithë e dinë që në një prej klubeve më të mëdhenj në botë, do të ketë konkurrencë, na ndihmon të gjithëve të zhvillohemi si lojtarë. Ne kemi një skuadër të madhe, të gjithë janë të nevojshëm në çdo moment", tha Broja.
Trajneri i Chelsea flet për golin e Armando Brojës: Ishte i mrekullueshëm
Trajneri i Chelsea ka folur për golin e parë të Armando Brojës te Chelsea. Trajneri Graham Potter tha se ishte një gol i mrekullueshëm.
“Kam qenë këtu te Chelsea për tre ose katër javë, kështu që nuk kam asnjë meritë, një gol i mrekullueshëm, gjithashtu pasim i bukur. Sa herë që vjen Broja punon shumë për ekipin. Ai duhet të jetë i durueshëm, por ka punuar shumë në stërvitje dhe është mirë që të shënojë”, tha Potter.